Presidenti i Skënderbeut ka folur pas kalimit në turin e tretë të Europa League, ndërkohë që ka sqaruar edhe të ardhmen e mesfushorit
Leondard Trebicka
Skënderbeu ka kaluar në turin e tretë të Europa League dhe për presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takajn, dje ishte një mbrëmje e madhe, ndaj e ka përgëzuar ekipin për rezultatin e marrë. Numri 1 i klubit bardhekuq tregoi se nuk kishte frikë para këtij takimi, për shkak të rezultatit të mirë të ndeshjes së parë.
“Ishte një natë e madhe, nata e Skënderbeut dhe e gjithë korçarëve. Një bravo të madhe për të gjithë, sidomos për lojtarët, të cilët dhanë më të mirën në fushën e lojës. Ju lumtë të gjithëve dhe me të drejtë u futa në dhomat e zhveshjes dhe i përgëzova. Ishim përgatitur mirë për këtë takim. Nuk kishte pse të trembeshim, pasi u nisëm me një rezultat të mirë në fushën kundërshtarë dhe me një lojë të mirë. E dinim që mund të bënim më shumë në fushën tonë dhe ja ku e bëmë realitet kualifikimin”, – u shpreh presidenti Takaj fillimisht, ndërsa më pas foli për faktorët, që ndikuan në kalimin e këtij turi, kundërshtarin e radhës, merkaton dhe Liridon Latifin. Në fund edhe pak fjalë për eliminimin e Kukësit.
ÇELËSI I SUKSESIT – “Skënderbeu ka luajtur në ndeshje europiane të këtij niveli, por edhe më shumë se kaq. Kemi edhe përvojën e grupeve, prandaj e eliminuam Kairatin, një skuadër jo fort e lehtë. Eksperienca ishte ajo që na ndihmoi shumë dhe ja ku jemi tani, në raundin e tretë të Europa League. Nganjëherë nuk janë milionat ato që të bëjnë të fitosh, por zemra dhe shpirti luftarak. Lojtarët sot (dje) e vunë atë në fushën e lojës”.
MLLADA BOLESLAV – “Tashmë luajmë ndaj MLladës në turin e tretë dhe sigurisht që do të jetë një tjetër ndeshje e vështirë, pasi në të tilla kompeticione nuk ka të lehta. Janë skuadra në zemër të Europës, që luajnë futboll shumë mirë dhe marrin pjesë në një kampionat të fortë si ai çek. Nuk ka vend për krahasime, i lehtë apo i vështirë. Ekipi është shumë i fortë, ne do përgatitemi fort për t’u përballur me ta”.
LATIFI DHE MERKATOJA – “Tani jemi tepër të qetë dhe të përqendruar për të parë për përforcime të tjera. Një ose dy afrime do të kemi, por grupi do të jetë në përgjithësi ky që ishte edhe sot (dje). Sa për Latifin, dua të konfirmoj që ai do të vazhdojë të qëndrojë me ne deri në fund të ndeshjeve në Europë. Ka oferta konkrete, por nuk mund të them emra”.
OBJEKTIVI – “Grupet e Europa League janë objektivi i mëtejshëm, pavarësisht se është e vështirë, pasi duhet të kalosh edhe dy ekipe të tjera, që të shkosh deri atje”.
URIMET – “Ende nuk e kam hapur telefonin. Mesazhet vazhdojnë të vijnë. E rëndësishme është që futbolli shqiptar të marrë rezultate.
KUKËSI – “Eliminimi i Kukësit ishte fatkeqësi. Më vjen keq, pasi i bëri të gjitha, por nganjëherë fati të dënon. E pashë një ditë më parë eliminimin e Kukësit dhe më erdhi vërtet keq. Ishin vërtet të pafat dhe e meritonin të ishin më tej, por ky është futbolli, kjo lojë që të dhuron emocione kaq të mëdha.”