Presidenti mbërrin në Korçë dhe sot niset me skuadrën. Ai sqaron se një federim lejohet nga UEFA për Mladës dhe ai do të jetë sulmuesi i Kievos
E ka pohuar dje presidenti Ardjan Takaj se Skënderbeu e mbyll merkaton me dy lojtarët e konfirmuar së fundi nga klubi korçar. Bëhet fjalë për lojtarin nga Gambia, Ali Soue, i cili vjen në formë huazimi nga Kievo, si dhe për kosovarin Shend Kelmendi. Ky i fundit tashmë është në Korçë dhe po vijon seancat stërvitore me Skënderbeun. Presidenti Takaj nuk ka dashur të flasë dje gjatë për mediet në lidhje me këtë çështje, madje ka dashur të jetë shumë i rezervuar.
Për “Sport Ekspres” ai ka thënë vetëm kaq: “Po, presim që Ali Soue të vijë, por nuk di të them se kur. Ky lojtar do të jetë pjesë e Skënderbeut dhe, nëse do të luajë në ndeshjen e kthimit apo jo, këtë e di trajneri. Në UEFA do të çojmë vetëm emrin e tij, sepse vetëm një lojtar lejohet të federohet. Po ashtu, edhe Kelmendi është një afrim te Skënderbeu. Këto janë të rejat e deritanishme rreth merkatos, ndërkohë që për të tjerat nuk flas, pasi jam përqendruar 100%, bashkë me ekipin, vetëm te Mlada.”
Është e kuptueshme pse “bosi” i Skënderbeut nuk dëshiron të flasë për çështje të tjera, pasi Mlada është te dera. Vetëm 48 orë na ndajnë nga kjo sfidë. Dje në mesditë, presidenti Takaj dhe zëvendësi i tij Boshku u nisën nga kryeqyteti për në Korçë. Pak momente përpara fillimit të stërvitjes, ata ishin në ambientet e stadiumit, ku Takaj ka shkelmuar edh një top që ka ardhur në drejtim të tij. Numri 1 i ekipit korçar është takuar me pjesën më të madhe të futbollistëve, por edhe me Shend Kelmendin, kosovarin e sapo ardhur në Korçë.
Nga ana tjetër, mësohet se “bosi” dhe drejtuesit e tjerë të klubit, do të nisen sot bashkë me ekipin drejt Shkupit e më pas do të vijojnë rrugëtimin drejt Çekisë në një avion me skuadrën. E rëndësishme është që Takaj dhe bashkëpunëtorët e tij po punojnë dhe kanë sjellë ne ekip edhe dy sulmues të tjerë. Soue pritet të vijë nesër në Shqipëri, por duhet të presë kthimin e Skënderbeut për t’u bashkuar me skuadrën e re. Trajneri Daja e donte një sulmues dhe ai do të vijë e do të jetë në dispozicion për takimin e kthimit në “Elbasan Arena”. Vetë presidenti Takaj ka bërë me dije se merkatoja është e mbullur për momentin, pasi, nëse bardhekuqtë do të kalojnë më tej, do të kemi sërish të tjera afrime.