Takaj i xhindosur: Kush jemi ne, që e marrim lehtë!?

Mbrëmjen e së enjtes presidenti i Skënderbeut ishte tejet nervoz, teksa shihte ekipin të vuante. Ka shumë rezerva për të tijtë, pas asaj paraqitjeje të dobët

Leonard Trebicka

Priste të shijonte një fitore bindëse dhe një lojë të mirë në ndeshjen e turit të parë eliminator të Europa League. Jo vetëm se kundërshtari ishte modest në krahasim me ekipin e tij, por edhe sepse në merkato ka lëvizur mirë, duke afruar lojtarë me kualitet. Ka bërë gjithçka ka mundur për ekipin e tij dhe mezi e priste mbrëmjen e së enjtes, që shënonte edhe rikthimin e Skënderbeut në Europë pas atij pezullimi njëvjeçar nga UEFA. Por humori i është prishur shpejt. Nga burime konfidenciale pranë presidentit Ardjan Takaj mësohet se ai është xhindosur gjatë dhe në fund të atij 90-minutëshi, që në fakt zhgënjeu tifozët korçarë dhe opinionin sportiv në përgjithësi, edhe pse kuqebardhët e fituan ndeshjen 1-0. Jo vetëm që në stadiumin e Korçës munguan golat, por më shumë ishte loja e Skënderbeut, që la për të dëshiruar në momente të caktuara. Ndoshta kualifikimi në turin e dytë nuk është vënë në diskutim, por Skënderbeu që u pa në fushë ndaj San Julias nuk mund të shkojë larg në Europë, siç të gjithë pjesëtarët e tij kanë menduar deri tani.

“TËRBIMI” I TAKAJT – Ka disa arsye, që një ekip mund të luajë dobët në një ndeshje, por ajo që nuk kapërdihet në paraqitjen e Skënderbeut është marrja lehtë e kundërshtarit nga Andorra, që bëri një rezistencë të fortë. Fakt, që e pranuan edhe vetë disa protagonistë të ekipit pas përfundimit të ndeshjes. Pikërisht kjo gjë e ka “tërbuar” presidentin Takaj, i cili ka kritika të ashpra për mentalitetin e të tijve në fushë, ku nënvlerësuan kundërshtarin. “Kush jemi ne, që të marrim lehtë një ndeshje në Europë dhe të nënvlerësojmë kundërshtarin?! E kanë bërë të tjerët më parë me ne dhe e kanë pësuar. Tani gabojmë ne vetë…”

Numri 1 i klubit korçar nuk arrin ta kuptojë mënyrën e sjelljes së lojtarëve të Skënderbeut, duke ditur shumë mirë se ata janë profesionistë, të cilët punojnë në kushte nga më të mirat. Zemërimi i të parit të Skënderbeut ka qenë i madh edhe dje, kur nuk ka dashur të prononcohet publikisht, pasi është pyetur nga “Sport Ekspres” për ndeshjen e së enjtes. Edhe nga njerëz pranë tij mësohet se presidenti Takaj është munduar të jetë sa më i përmbajtur, por që në vetvete “ziente” nga inati, pasi nuk mund të pranojë kurrsesi një gabim fatal në mentalitet nga ana e një ekipi me përvojë, siç është Skënderbeu. Presidenti Takaj pret të shohë ndryshimin rrënjësor të ekipit të tij që në ndeshjen e kthimit në Andorrë, që luhet të enjten e ardhshme. Nëse ky ndryshim nuk vjen, atëherë mbetet për t’u parë çfarë do të bëjë presidenti i korçarëve.

Edhe Daja me “nerva”,
asnjë ditë pushim
Trajneri Ilir Daja e ka nxjerrë që dje skuadrën në stërvitje, duke mos i lënë asnjë ditë pushim lojtarët. Pa kaluar 24 orë nga ndeshja e fundit, në 18:30 të gjithë futbollistët kanë qenë në ambientet e stadiumit. Për disa minuta, trajneri Daja dhe stafi i tij kanë zhvilluar një analizë, ku nuk kanë munguar kritikat për lojtarët. Kjo në fakt është analiza paraprake, pasi ditët në vazhdim, ndoshta edhe që sot, pritet një analizë e thellë e ndeshjes së fundit për çdo lojtar. Dje skuadra korçare ka zhvilluar një seancë shkrythëse. Deri të martën Skënderbeu do të qëndrojë në Korçë, ku kushteve klimaterike janë mjaft të mira. Të martën pritet të niset për në Durrës dhe më pas drejt Andorrës. Sot pasdite Skënderbeu do të zhvillojë seancën e radhës në stadium.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *