Kualifikimi ka bërë euforik presidentin e Skënderbeut Ardjan Takaj, i cili komenton me kënaqësi edhe shortin e fazës së grupeve në Europa League, ku korçarët do të ndeshen me Dinamon e Kievit, Partizanin e Beogradit dhe Jang Bojs.
Në një intervistë për Supersport, Takaj është i bindur se Skënderbeu mund të befasojë të gjithë: “Ishim në pritje të ndonjë skuadre të madhe, por shoh që shorti është i favorshëm për të vijuar më tej. Do synojmë kualifikimin, pasi janë ekipe të kalueshme, edhe pse ne e kemi arritur objektivin tonë. Ekipet në grup nuk janë më të forta se ato që kemi eliminuar.”
Sfida në Beograd është në qendër të vëmendjes, por Takaj nuk ndalet gjatë aty: “Do shkojmë të luajmë futboll kudo, qoftë edhe në Beograd edhe pse dihet vështirësia për të luajtur me ekipet serbe.”
Presidenti korçar i rikthehet mbrëmjes magjike kundër Dinamos, në një “Elbasan Arena” të tejmbushur: “Shqiptarët janë të uritur për mbrëmje europiane, janë shumë tifozë të flaktë dhe kjo u pa edhe me kombëtaren, ku e skuqën Francën. Ata duan të jetë një ekip shqiptar në futbollin europian, pasi ndjehen të përfaqësuar. Ne e meritojmë të jemi aty.”