Presidenti i Skënderbeut ka hapur “thesin” para sfidës me kroatët. Shpërblim i majmë për “kokën” e Dinamos së Zagrebit, që së shpejti do t’u komunikohet lojtarëve
Leonard Trebicka
Jo pak, por plot 200 mijë euro është shpërblimi, që ka vendosur presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, për kualifikimin e skuadrës së tij në grupet e Europa League. Në fakt, u tha se shpërblimi do të ishte 100 mijë euro, por Takaj ka ndërruar mendje dhe e ka dyfishuar shifrën, duke vendosur për 200 mijë euro në dispozicion të ekipit, nëse kalojnë Dinamon e Zagrebit. Këtë shifër “Sport Ekspres” e konfirmon nga burime pranë presidentit të korçarëve, ndërkohë që shumë shpejt do t’u komunikohet dhe futbollistëve. Ndoshta të mërkurën, një ditë para ndeshjes në Zagreb, kur skuadra të jetë duke zhvilluar seancën e fundit stërvitore, “bosi” pritet t’ua bëjë të ditur lojtarëve shifrën në fjalë, që gazeta e ka zbuluar për kualifikimin e mundshëm të Skënderbeut.
RRITJA – Deri tani, futbollistët e Skënderbeut kanë ndarë 100 mijë euro, të ndara në dy shpërblime nga 50 mijë euro, i pari për eliminimin e Kairatit dhe i dyti për eliminimin e Mladës. Për turin e parë ndaj Sant Julias, presidenca nuk caktoi premio, sepse kalimi ishte i lehtë ndaj amatorëve nga Andorra. Tashmë shuma është marramendëse, sepse edhe suksesi do të ishte i madh, nëse korçarët eliminojnë gjigantët kroatë. Prandaj dhe shpërblimi është 4 herë më e lartë se dy të mëparshmet. 200 mijë euro tashmë janë në lojë për futbollistët e Skënderbeut duhet të bëjnë gjithçka, që t’i përfitojnë.
PËRFITIMET – Shpërblimi më i lartë që ka vendosur ndonjëherë presidenca korçare është ai i dy vjetëve më parë, si për koincidencë po ndaj Dinamos së Zagrebit. Në atë kohë Takaj, për të kaluar në grupet e Champions League, vendosi në dispozicion të ekipit plot 500 mijë euro. Sigurisht, ishte një super premio, sepse të ardhurat do të ishin të frikshme. Në këtë moment “lufta” bëhet për të siguruar grupet e Europa League, ku përfitimet janë më të vogla se në Champions. Korçarët kanë siguruar tashmë 920 mijë euro, pas kalimit të 3 tureve të para. Nëse kalojnë Dinamon e Zagrebit, jo vetëm do të ndajnë 200 mijë euro, por do të mbushin sërish arkën e klubit. Një mision, që besohet se mund të arrihet, pavarësisht se përballë është një klub me mjaft emër si Dinamo e Zagrebit.
TAKAJ – Dy ditë më parë presidenti Ardjan Takaj ishte në Korçë, ku qëndroi pranë skuadrës 48 orë. Tashmë i është kthyer punëve të biznesit në Durrës dhe në Tiranë, por mësohet se shumë shpejt do të jetë sërish me ekipin. Deri të hënën ai do të bashkohet me Skënderbeun, por këtë herë udhëtimi i tij do të jetë surprizë. Pas mbërritjes në Korçë, Takaj nuk do të ndahet nga ekipi deri në mbrëmjen e 17 gushtit, kur të luhet ndeshja e parë në Zagreb. Kur të jetë në Korçë sigurisht që do të takohet me futbollistët për t’i karikuar më shumë ata. Përveç tifozëve, stafit teknik dhe futbollistëve, edhe presidenca është e bindur se skuadra do t’ia dalë. Shpërblimi me 200 mijë euro është karikimi më i mirë për lojtarët.