Françesko Tahiraj, mesfushori vlonjat i Aluminij në Slloveni, po bën një sezon shumë të mirë dhe është i kënaqur me formën sportive që po kalon. “Jam i lumtur me veten dhe ecurinë time në Slloveni. Renditem i dyti në listën e golashënuesve dhe normalisht që kjo më kënaq”, ka deklaruar për Supersport 22-vjeçari.
OFERTAT – Tahiraj, edhe pse luan si mesfushor, ka arritur të shënojë plot nëntë gola deri më tani dhe normalisht që po vëzhgohet nga klube të ndryshme. Vlonjati tregon se ka interes për të, por nuk tregon konkretisht se cilat klube e duan.
“Nuk është kampionat i dobët këtu në Slloveni, të jep mundësi të ecësh përpara. Por duhen bërë ndeshje të mira që të ecësh. Kam shumë oferta nga jashtë Sllovenisë. Nuk ka emra konkrete, por më duan në Poloni, Zvicër e Kroaci”, shtoi Tahiraj.
KOMBËTARJA – I riu ka luajtur vetëm një ndeshje zyrtare me kombëtaren U17, teksa ka shënuar një nga golat në takimin e fituar 0-6 me Lihtenshtejnin. Vetëm 55 minuta në fushë, ndërkohë që ëndrra e tij është kombëtarja e madhe.
“Normal që mendjen e kam atje, është ëndërr fëmijërie të luajë. Duke parë se asnjë nuk ka statistika si unë, me 1500 minuta, nëntë gola e 4 asiste, pse jo të mos jem edhe unë. Do ishte një ëndërr e realizuar”, ka përfunduar Tahiraj.