Tafili: Për revansh në Durrës, Vllaznisë i nevojiten pikët

Mesfushori i kuqebluve thekson se në këtë moment skuadrës së tij i duhen patjetër rezultatet pozitive për të lënë fundin e tabelës

Gaspër MARKU

Startin e fazës së dytë duhej ta bënin me Lushnjën në shtëpi, por për shkak të problemeve të tapetit të stadiumit “Loro Boriçi”, kuqeblutë e nisin në transfertën me Teutën. Përballë do të kenë një skuadër, që i ka mundur brenda në “Loro Boriçi” në javën e dytë të kampionatit. Ka qenë një humbje, që edhe sot “djeg” jo pak në qytetin verior, sepse përveçse frenoi entuziazmin e fitores me Lushnjën, e futi Vllazninë në probleme nga më të ndryshmet, duke çuar deri në atë pikë sa tekniku Cungu të dorëhiqej. Është kjo arsyeja pse në kampin kuqeblu karikimi për këtë ndeshje është në maksimum. Krahas të tjerave, pikët janë të domosdoshme për largimin nga zona e “ftohtë” e tabelës dhe nisjen e ngjitjes në tabelë. Për shkodranët kjo sfidë është edhe një revansh ndaj bregdetarëve për atë që ndodhi në fazën e parë në “Loro Boriçi”. Të gjitha këto i përcjell në intervistën për “Sport Ekspres” Alsid Tafili, një futbollist që ka luajtur më parë edhe për durrsakët, por tashmë kërkon t’i sfidojë në fushë. Mesfushori shkodran po kalon një formë të mirë sportive dhe beson se me punën e mirë që ka bërë skuadra gjatë kësaj periudhe, do të fillojë ngjitjen që nga ndeshja me Teutën në Durrës.
– Alsid, Teuta-Vllaznia të dielën në “Niko Dovana”. Si një ish-lojtar i Teutës, si e parashikon këtë ndeshje?
– T’ju them të drejtën, në Durrës e kam kaluar shumë mirë. Dhe e ndjej për detyrë të falënderoj presidentin Edmond Hasanbelliu për respektin dhe kushtet komode të krijuara gjatë aktivizimit me Teutën. Por tashmë jam pjesë e Vllaznisë dhe tifozët e respektuar durrsakë duhet të më mirëkuptojnë. Luaj për ekipin e qytetit tim dhe nisur nga rezultatet jo të mira të fazës së parë, do të luajmë të mobilizuar vetëm për fitore.
– Gjatë këtyre ditëve ishit përgatitur për t’u ndeshur me Lushnjën, por tani udhëtoni në Durrës. Sa ju prish punë ky ndryshim?
– Normalisht, e përgatitëm ndeshjen me Lushnjën, por gjithsesi ka shumë rëndësi që jemi stërvitur mirë. Kemi rritur edhe anën morale, që ishte e nevojshme pas disa rezultateve jo të mira. Tekniku Gjoka i ka marrë të gjitha masat për adaptimin e skuadrës nga anti-Lushnja në anti-Teuta.
– Sa mendoni se ju ka shërbyer ndërprerja e kampionatit?
– Përgjithësisht, çdo ndërprerje kampionati u shërben për mirë ekipeve, por në rastin konkret, ne e kishim të nevojshme një gjë të tillë dhe mendoj se e kemi shfrytëzuar në mënyrën më të mirë. Kjo falë edhe stafit teknik, me në krye trajnerin Gjoka. Tashmë për fat të mirë kemi edhe një përgatitës atletik si Gjergji Poloska, i cili ka rritur dozën e ngarkesës me seancën e dytë stërvitore brenda ditës. Për hir të së vërtetës, duhet pranuar që përgjithësisht të gjithë futbollistët kanë një rritje të dukshme, sidomos në parametrat fizikë.
– Prej sa ditësh keni kryer shumë seanca stërvitore, ndërsa sot (dje) keni pushuar…
– Stafi gjykoi se e kishim të nevojshme një ditë pushim si kjo e së mërkurës dhe mund të them se të gjithë lojtarët e kanë pritur mirë. Përpos kësaj, mbrëmjen e së martës kaluam edhe momente relaksi pas ftesës për të ndjekur natën e parë të festivalit të këngës qytetare “Lule Borë”.
– Pas një performance të mirë në tri ndeshjet e fundit të fazës së parë, çfarë pritet nga kuqeblutë në fazën e dytë?
– Tani na nevojiten pikët dhe kjo fazë na favorizon shumë edhe prej asaj që kemi disa ndeshje brenda, që pritet t’i shfrytëzojmë në marrjen e rezultateve pozitive. Jo vetëm në ndeshjet e fundit, por edhe më përpara nuk është se nuk kemi demonstruar lojë të mirë, por na kanë munguar rezultatet. Shpresojmë se tashmë në këtë fazë të shpërblehemi me pikët e duhura, që për ne janë shumë të nevojshme.
– Teuta ju mundi fazën e parë në “Loro Boriçi”. A mendoni se mund t’i merrni revanshin, duke e mundur në “Niko Dovana”?
– Edhe sot vazhdojmë ta kujtojmë atë ndeshje, ku ishim përgatitur për të fituar, por durrsakët e patën fatin ta fitonin. Por tashmë gjërat them se kanë ndryshuar. Atë që bëri Teuta në “Loro Boriçi”, do ta bëjmë ne në “Niko Dovana.” Ekipi durrsak duhet respektuar, pasi edhe pse në vijim nuk pati një ecuri pozitive, mbetet një ekip i vështirë. Ne gjatë ballafaqimeve të fundit nuk kemi kujtime të mira me Teutën. Megjithatë, i qëndroj asaj që Vllaznia udhëton në Durrës për t’i marrë revanshin Teutës.
– Tri ndeshje brenda javës, nga Teuta te Lushnja dhe më pas Luftëtari. Sa pikë parashikon Tafili për këto tri ndeshje?
– Nuk mund të flas me saktësi për pikë, por për një gjë ju garantoj: do të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje për të fituar. Parametrat tanë janë rritur ndjeshëm në të gjitha aspektet dhe kjo do të pasqyrohet në fushën e lojës. T’ia lëmë fushës… Jo vetëm këto tri skuadra, por asnjë kundërshtar, sado i fortë qoftë, s’do ta ketë të lehtë kundër nesh. E them këtë, sepse jemi përmirësuar ndjeshëm gjatë kësaj periudhe.
– Si është forma sportive e Tafilit para kësaj ndeshjeje?
– Forma ime sportive mendoj që është e mirë. Jam munduar të stërvitem në maksimum, shpresoj ta tregoj edhe në fushë, gjithmonë për të ndihmuar ekipin, sidomos tani në këto momente të vështira.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online