Tafili: Fusha problem, ju tregoj “rrugën” për në Superiore!

Alsid Tafili është gati për Vllazninë. Mesfushori pritet ta nisë nga minuta e parë nesër prej orës 14:00 kundër Erzenit. “Kam patur një problem njëjavor por tani jam më mirë dhe për nesër jam i gatshëm dhe shpresoj të na shkojë sa më mbarë”, u shpreh mesfushori, i cili më tej foli për kundërshtarin, ndryshimet e pësuara në ekip, por edhe për fushën ku do ë luhet takimi dhe ngjitjen në Superiore.

ERZENI – “Jemi të përgatitur për ta fituar edhe këtë ndeshje. Luajmë në fushën tonë dhe padyshim që ky është një favor sepse duam vetëm fitoren për vetë objektivin që kemi. Shpresoj të japim maksimumin, por kuptohet që nuk është një ndeshje e lehtë. Kundërshtarët kanë një ekip serioz dhe kanë pasur një paraqitje përgjithësisht të mirë”, u shpreh Tafili kur u pyet në lidhje me kundërshtarin e kësaj jave.

“RESHIT RUSI” – Problem mbeten përmasat e fushës ku do të luhet ndeshja: “Në fakt fusha ku do të luhet kjo ndeshje nuk është shumë e përshtatshme, pasi i ka përmasat më të vogla se ato të stadiumit. Kjo favorizon kundërshtarin, i cili vjen për të marrë një barazim. Por normalisht që ne duhet të kemi kujdes dhe me një seriozitet maksimal për këtë sfidë, të arrijmë fitoren”.

RIKTHIMI NË SUPERIORE – Mesfushori nuk nxitohet kur flet për rikthimin në elitë, edhe pse deri më tani Vllaznia njeh veç fitore. “Çfarë ka ndryshuar? Stafi është cilësor, lojtarët janë cilësorë dhe kjo bën diferencën me ekipet e tjera. Superiorja? Mendoj se është herët të flitet për këtë. Gara sa vjen e bëhet më e vështirë. Siç dihet, në javët e para gjithmonë luftohet për të marrë maksimumin, pasi në fazën e tretë kuptohet që do ta kemi më të vështirë. Prandaj dhe duhet t’i marrim masat që tani për ta thelluar shkëputjen”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *