Tafaj: Vllaznia s’luan për barazim, për 3 pikë në Kukës

 

Stafi Gjoka-Tafaj-Osmani-Poloska rikthehet në Kukës, por tashmë në krye të Vllaznisë për të sfiduar kampionët në fuqi. Duhet patjetër rezultat pozitiv

Gaspër Marku

Që prej së enjtes së kaluar në Shkodër ka zbarkuar katërshja e stafit teknik nga kryeqyteti, e përbërë nga trajneri i parë Ernest Gjoka, zëvendëstrajneri Fatjon Tafaj, trajneri i portierëve Alfred Osmani dhe përgatitësi atletik Gjergji Poloska. Një staf i kompletuar, rezultatet e të cilit janë parë sezonin e kaluar, kur përpos fitimit të titullit kampion me Kukësin, pati edhe një performancë të mirë në ballafaqimet europiane. Nëse golashënuesi Pero Pejiç nuk do të gabonte nga pika e bardhë e penalltisë, me të gjitha gjasat stafi në fjalë do të vijonte të ishte në krye të Kukësit edhe këtë sezon. Këtë fundjavë do të priste Vllazninë si kundërshtare në stadiumin “Zeqir Ymeri”, por fati solli të tjera zhvillime. Tashmë këta trajnerë do të bëjnë detyrën e tyre si profesionistë për të fituar me Vllazninë, duke sfiduar jo vetëm Kukësin, por edhe zëvendësuesit e tyre në staf, me në krye serbin Milinkoviç, i cili ka marrë drejtimin e veriorëve.

TAFAJ – Në një prononcim për “Sport Ekspres”, zëvendëstrajneri i Vllaznisë, Fatjon Tafaj, shprehet i bindur se stafi është unik në veprimet e tij dhe ashtu siç doli kampion me Kukësin, edhe te Vllaznia do të arrijë të marrë rezultatet e duhura. Ndër të tjera, ai e konsideron privilegj që punon përkrah trajnerit Gjoka, pasi përfiton profesionalisht: “Besoj se jemi një staf kompakt dhe e kuptojmë shumë mirë punën e njëri-tjetrit. Që do të thotë se bashkëpunimi i ynë është deri në detaj”, – thekson Tafaj.

Filozofia e trajnerit dhe skuadra

I pyetur për raportet me skuadrën dhe si po reagon ajo ndaj stafit të ri, Tafaj thotë se punët janë në rrugën e duhur dhe se shumë shpejt gjërat do të shkojnë në nivelin e kërkuar: “Mendoj se avash-avash skuadra do ta kuptojë filozofinë dhe strategjinë e trajnerit, sepse duhet pak kohë. Nuk mundet që një skuadër të kuptojë filozofinë e trajnerit për një orë punë apo për dy orë. Ne do të mundohemi të punojmë sa më fort. Të përshtatemi me ekipin dhe ekipi të na përshtatet sa më shumë me ne”, – sqaron Tafaj.

Post Partizani

Debutimin së stolin e Vllaznisë stafi i ri e pati të dielën e kaluar, katër ditë pasi kishin marrë detyrën. Dhe për numrin 2 të pankinës shkodrane, Vllaznia nuk është se nuk luajti mirë, por edhe fati bëri punën e tij: “Ekipi është i ri dhe kemi kohë ta njohim. Mendoj se Vllaznia u paraqit mirë në ndeshjen me Partizanin, pavarësisht se nuk patëm fatin me vete në atë 90-minutësh, ku pësuam një gol aksidental. Ekipi ka probleme brenda dhe që duhen rregulluar, ndaj dhe vazhdim do të mundohemi të punojmë sa më mirë që të arrijmë t’u marrim maksimumin këtyre futbollistëve”, – shprehet Tafaj.

I pyetur se çfarë u tha konkretisht në analizën e asaj ndeshjeje, Tafaj u përgjigj: “Janë çështje brenda stafit, me futbollistët jemi si një familje dhe nuk mendoj se duhet të dalin disa gjëra dhe të bëhen publike. Mendoj se ka pasur momente të mira, sepse nuk mund të dalim direkt te gjërat negative. Sigurisht që futbollistët dhanë maksimumin në atë ndeshje, është çështje fati mungesa e golit, apo edhe pësimi i golit. Pastaj, edhe ana teknike që bëri trajneri është tjetër gjë. Do të mundohemi që avash-avash gjatë të gjithë javës të rregullojmë ato defekte, që kemi pasur në atë ndeshje”.

Rikthimi në Kukës

Vllaznia luan të dielën, në orën 14.00, në stadiumin “Zeqir Ymeri”, përballë Kukësit vendas. Një ndeshje shumë e vështirë për skuadrën kuqeblu, ku përballë do të ketë skuadrën kampione në fuqi. Për Tafajn dhe kolegët e tij, Gjoka, Osmani dhe Poloska, rikthimi në Kukës është nostalgji dhe përgjegjësi njëkohësisht. “Mendoj se ndeshja është shumë e vështirë. Kukësi është ndër ato skuadra, që brenda është mjaft e fortë. Por të mos harrojmë se ndeshjet me Vllazninë i ka pasur gjithmonë shumë të vështira. Kjo do të thotë se ashtu si ne kemi një lloj frike në thonjëza, ashtu edhe Kukësi ka një frikë të madhe nga Vllaznia, qoftë edhe për emrin që ka, por edhe për lojtarët cilësorë që ka brenda. Ne do të mundohemi të bëjmë maksimumin e maksimumeve, të mos dalim pa pikë nga ajo ndeshje jashtë fushe. Nuk kënaqemi me barazimi, duam maksimumin në Kukës, edhe pse e dimë që na pret një ndeshje e vështirë ”, – ka përfunduar Tafaj

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online