Tabaku, djaloshi që bëri për vete fshatin me 7000 banorë!

“Ashensori” i Xhulios nuk është ndalur kurrë. Në një fshat me 7000 banorë ka lumturuar këdo me gola dhe asiste, duke i dhënë ngjitjen një ligë më lart. Endërron kombëtaren, por edhe Bundesligën. I vjen keq për Tiranën

Anton Cicani

Ka hedhur hapat e tij të parë me fanellën e Tiranës. Ishte ende shumë i vogël Xhulio atëherë, por me bardheblutë nisi të shkelmonte topin dhe të ëndërronte se një ditë do të mund të hidhte hapa të mëdhenj dhe të ngjiste shkallë. “Djalosh i shkëlqyer dhe me vullnet, uroj që të tregojë vlerat e tij te Këlni dhe një ditë të luajë në Bundesligë”… Mërgim Mavraj do ta bekonte me këtë fjali, por Xhulio Tabaku ka preferuar ta nisë nga zero, ta nisë nga shkalla më e fundit e një kati të lartë…

Kështu, Xhulio Tabaku, që nuk ka shumë që ka shuar 22 qirinj të tortës së ditëlindjes, beson se do të vijë shansi i madh. Ashtu sikurse beson se një ditë mund të veshë edhe ai fanellën e Shqipërisë, pasi me moshat është provuar. Edhe pse, nga federata është harruar, ashtu si shumë të tjerë. Xhulio ka preferuar të ulë kokën dhe stërvitet. Kështu, pa kundërshtuar, u huazua për 1 vit nga Këlni te Tus Erndtebryk… Do të thoni ku luan? Kategoria e pestë këtë sezon që sapo u mbyll, por arritën ngjitjen te gjysmëprofesionistët. Natyrisht, jemi ende larg nivelit që duhet, por kur e nis nga poshtë mund të shohësh lart dhe kur je lart nuk sheh dot poshtë dhe rrezikon të rrëzohesh.

Xhulio rrëzohet, por vetëm në fushë, kur përballet me kundërshtarët. Erndtebryk është një fshat me 7000 banorë, por në çdo derë që Tabaku do të trokiste, do të hapej për të dhe do të ishte një krevat i ngrohtë që do ta priste… Tifozët e duan, por edhe drejtuesit. “Jam ndjerë shumë mirë. Na kanë ofruar dashuri të jashtëzakonshme”. Por, jo vetëm kaq, por skuadra e tij, në Kupën e Gjermanisë, në turin e parë, do të luajë ndaj Eintraht Frankfurtit. “Një ëndërr e bukur! Të shohim”, shprehet Xhulio për “Sport Ekspres”. Sigurisht, shorti s’i ka dhënë Dortmund apo Bajern Mynih, por mjaftohet me kaq.

Menaxheri i tij, sakaq, Stefan Engels, kampioin bote me Gjermaninë, e ka telefonin shpesh në karikim, pasi ofertat nuk mungojnë, edhe pse Këlni e tutelon më së miri. Sepse, sezonin tjetër, ndoshta do ta shohim edhe në Bundesligën 2. “Ka pasur interesime nga Austria dhe Greqia, por e di menaxheri.

Por, dëshira ime është të vijoj në Gjermani”. Letra e lamtumirës për ekipin e tij, pra fshatin e dashur, një fitore 3-1 dhe ngjitja në ligën e 4-ërt. “Moment i bukur,pasi stadiumi më thërriste emrin në kor. S’u besoja syve, teksa im atë më ndoqi. Më vinte për të qartë”.

Sakaq, ka edhe fjalë keqardhje për Tiranën, klubi ku u rrit: “Më vjen keq që klubi ku une spikata dhe u rrita si futbollist ra në kategori”. Tabaku ka qenë kapiten tek u-17 dhe u-19. “Shpresoj që të kthehet sa më shpejt në elitë”.

6 gola ka shënuar këtë sezon që sapo u mbyll Tabaku, teksa kanë qenë plot 13 asiste nga ai

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *