Ky pushim për verilindorët duket se erdhi në momentin e duhur, pasi skuadra nuk kishte pasur aspak hapësirë për t’u çlodhur që nga mesi i muajt korrik, kur nisi dhe aventurën në arenën ndërkombëtare. Skuadra kishte nevojë jo vetëm për t’u çlodhur fizikisht, por dhe për të “sheshuar” të gjitha problemet që kishte, kujtojmë këtu situatat me Ethemin dhe Shkodrën. Tani ka qetësi dhe paqe.
Në radhë është ndeshja me Orikun, por vëmendja më e madhe është tek takimi me Teutën, që është programuar për t’u luajtur ditën e shtunë në mbrëmje. Trajneri Armando Cungu mund të ketë të gatshëm të gjithë grupin për këtë sfidë, megjithatë ende priten konfirmimet nga infermieria. Simo Rrumbullaku pësoi një dëmtim në gju në Vlorë dhe koha për rikuperim duket se ka qenë e mjaftueshme dhe me shumë mundësi mbrojtësi do të jetë gati për ndeshjen me durrsakët.
Po ashtu dhe Arbër Çyrbja u largua i dëmtuar në sfidën ndaj Tiranë, megjithatë ish-mesfushori i “Djemve të detit” do të zbresë në “Niko Dovana” si një kundërshtar me shumë gjasa. I fundit, por jo nga rëndësia, është Rexhinaldo, i cili është me Kombëtaren e tij, por ka pësuar një dëmtim që i ka shqetësuar kuksianët, të cilët duan menjëherë të dinë shkallën e dëmtimit dhe kanë kërkuar një raport të detajuar.
Sulmuesi menjëherë sapo të mbërrijë në Shqipëri do të konsultohet me mjekët, por paraprakisht nuk duket se ka një problem serioz. Ndaj Teutës, Kukësi mund të ketë mundësin për të shfaqur të gjithë potencialin e tij, por i duhet dhe një konfirmim nga infermieria!