Këto vitet e fundit ka qenë ndoshta lojtari më i rëndësishëm për Milanin, por shpesh është përfolur edhe për “sakrifikim” në merkato, pasi është ndër të paktët lojtarë të Milanit që kanë pasur oferta të rëndësishme nëpër Europë. Megjithatë, spanjolli Suso tashmë nuk ka ndërmend të largohet dhe synimi i tij është kthimi në Champions League me Milanin, siç deklaron sulmuesi duke folur për mediat në Itali.
“Milani duhet të luajë në Champions League, nuk është një ëndërr, është një objektiv i detyruar për ne. Historia e thotë qartë, kjo skuadër duhet të luajë në elitën e futbollit europian. Jemi në një moment të mirë, edhe pse kemi pasur shumë dëmtime, çka na ka vendosur në vështirësi të mëdha. Gatuzo është shumë i rëndësishëm për këtë ekip, më ka dhënë dhe i kam dhënë shumë. Ka bërë një punë të shkëlqyer në një situatë aspak të këndshme, tre ndërrime pronësish në tre vite i heqin stabilitetin klubit dhe ekipit”, shprehet Suso për Sky Sport.
Në lidhje me pozicionin e tij në fushë: “Kam biseduar me Gatuzon, unë dhe Çalhanoglu shpesh luajmë edhe si mbrojtës krahu. Në këtë moment rëndësi ka të mos humbasim dhe të pësojmë sa më pak gola, sepse në sulm kemi shumë cilësi dhe golin e gjejmë. Kohët e fundit ndoshta nuk kemi qenë të bukur në aspektin e lojës, por jemi më kompaktë e të bashkuar, kjo bën diferencën në skuadrat e mëdha”.
Suso tregon idhullin e tij: “Që në fillim kam dashur të bëhem i rëndësishëm për Milanin. Më ka pëlqyer gjithnjë Kaka, e kam ende të gjallë atë gol fantastik ndaj Mançester Junajtid. E pashë në shtëpi, me familjen time, gol magjik, duke avancuar nga mesfusha deri në sulm e duke pasur qetësinë të shënonte”.
Suso flet edhe për Paqueta e Piatek: “Te Milani të gjithë lojtarët e sapoardhur priten shumë mirë. Paqueta e Piatek janë lojtarë shumë të mëdhenj, do na ndihmojnë shumë, por duhet kujdes, sepse shumë lojtarë e kanë nisur fort dhe më pas kanë rënë. Po dëgjoj shumë krahasime me legjenda të së shkuarës dhe kjo mund t’i dëmtojë ata, sepse nëse luajnë dy ndeshje të dobëta do t’i mbytin në kritika. Kjo vlen për të gjithë ne, kritikat do të na fundosin, nëse luajmë disa ndeshje të dobëta”.
Suso ka folur edhe për Higuain, duke shpjeguar edhe një batutë të tij në rrjetet sociale: “Për mua është ndër sulmuesit më të mirë në botë. Nëse nuk ishte i lumtur, bëri mirë që iku në Londër. E quajta bullafiq në rrjetet sociale? Ishte thjesht një foto ku pantallonat i rrinin shumë ngushtë dhe bëra shaka. Më pas më erdhën 500 mesazhe, edhe Higuain më dërgoi një të tillë. Pantallonat mbeten të bukura, i thashë të m’i dërgonte dhe po i pres”.