Mesfushori 18-vjeçar Benejam Belje Demte, i cili prej disa ditësh po stërvitet dhe ka gjetur marrëveshjen me Skënderbeun, tashmë është zyrtarisht pjesë e klubit korçar.
Mesfushori ka impresionuar trajnerin Ilir Daja, i cili kishte kërkuar me ngulm që afrikani të bëhej pjesë e skuadrës, mundësisht që para ndeshjeve kundër Dinamos së Zagrebit.
U tha, u bë: Demte është federuar nga Skënderbeu dhe do të jetë në dispozicion që sot në Kroaci, duke mbajtur fanellën me numër 18, që e kishte sulmuesi Goran Vujoviç, tashmë i larguar.
Etiopiani ishte në bisedime me Kukësin para disa javësh, bile kur erdhi në Shqipëri u fotografua edhe me menaxherin e Kukësit Naim Halili, por më pas në skenë doli Skënderbeu, që përfitoi nga hezitimi i Kukësit për të firmosur me djaloshin, që flitet se është shumë i talentuar dhe nuk është çudi që të planifikohet si pasuesi i Liridon Latifit.