Superiorja në prag, çështjet më të nxehta të merkatos

Lëvizjet e bëra deri më tani nga klubet e Superiores janë të shumta, por ende nuk është mbyllur merkatoja. Drejtuesit e klubeve po punojnë për të bërë të tjera transferime dhe janë disa çështjet e nxehta nëpër ekipe të ndryshme. T’ia nisim nga Partizani kryesues, që nuk ka gjetur dot as mbrojtës të djathtë, as sulmues tjetër. Afrimi i dy lojtarëve në këto dy pozicione është “shqetësimi” kryesor, ndërkohë që ka ende dilema për vazhdimin e bashkëpunimit me Mensah.

KUKËSI – Afrimet te verilindorët janë disa, por po punohet për të gjetur një portier tjetër që të mbulojë boshllëkun e lënë nga Maloku. Ky i fundi tu dëmtua gjatë fazës dhe e ka mbyllur fazën. Shafik Tigurxha është i dëmtuar gjithashtu dhe mund të operohet. Largimi i tij është opsion. Tema më e nxehtë është Rexhinaldo.

Te Kukësi i druhen krijimit të situatave të pakëndshme në vazhdim dhe nëse do dilte ndonjë variant për sulmuesin, atëherë shitja e tij do të bëhet pa u menduar dy herë. Në hyrje kërkohet edhe një mesfushor qendror tjetër, pasi Musolli do duhet kohë deri kur të jetë gati për lojë.

SKËNDERBEU – Fidan Aliti është pikëpyetja më e madhe te korçarët. Mbrojtësi qendror ka pasur oferta gjatë kësaj periudhe, por ende nuk ka një marrëveshje për shitjen e tij. Trajneri Orges Shehi i ka sytë nga drejtuesit. E ardhmja e mbrojtësit të Kosovës është në ajër dhe normalisht që durrsaku do e donte në ekip, ndryshe pret zëvendësuesin në rast se shitet.

TEUTA – Trajneri Bledi Shkëmbi e ka thënë me kohë: në ekip do vetëm lojtarë që bëjnë diferencën. Renato Arapi është një nga ata, por duhet që mbrojtësi durrsak më parë të zgjidhë kontratën në Turqi me Afijet Afjonspor. Kjo ka ndodhur dhe marrëveshja me të është arritur prej kohësh. Afrimi i një sulmuesi mbetet ende opsion për Teutën.

KLUBET E TJERA – Tirana beson se e ka grupin e plotë, por gjithsesi po tenton të bëjë edhe dy afrime. Njëri është Emanuel Mensah, i cili është nën kontratë me Partizanin. Gjithashtu edhe me mbrojtësin Jurgen Goxha pritet të nënshkruhet këto ditë. Laçi është një tjetër skuadër që mbetet në merkato. Kurbinasit presin një sulmues, Antoni Okpotu, nigerian që është huazuar nga marokenët e Difaa El Jadida. Ndoshta presidenti Laska mund të bëjë edhe një tjetër dhuratë për trajnerin Prenga.

Flamurtari është nga ato klube që duket sikur nuk ka nevojë për merkato. Deri më tani vetëm një lëvizje në hyrje, ndërkohë që ndryshe nga vitet e tjera nuk përflitet asnjë emër. Çështjet për t’u zgjidhur? Alvesh dhe… pagat. Kamza do medoemos edhe një qendërmbrojtës. Luftëtari e Kastrioti nuk dinë nga t’ia nisin, pasi largimet janë të shumta. Mezani e Devolli i kanë sytë nga drejtuesit dhe deri në fund të kampionatit pritet që për ta kampionati të jetë mjaft i vështirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *