Në momentin kur Egnatia u ngjit në elitën e futbollit shqiptar, presidenti i kësaj skuadre ishte i entuziazmuar dhe u shpreh hapur se mbijetesa nuk do të diskutohej për këtë ekip. Objektivi i saj do të ishte arritja në Europë. Megjithëse shumëkush e cilësoi si të nxituar dhe emocionale, në fakt kreu i këtij klubi nuk ishte duke folur fjalë të pabaza. Stadiumi i ri, entuziazmi i tifozëve dhe njëkohësisht afrime cilësore që ishin menduar për te Egnatia, i jepnin shansin këtij ekipi për të kërkuar më lartë se mbijetesa.
Vetëm se këto fjalë nuk po përsëriten më sërish, duke parë sezonin “e gabuar” ku ndodhen. Në një kampionat ku në 10 ekipe, 7 prej tyre kanë hedhur kandidaturën e tyre për të fituar titullin kampion dhe kanë diçka më tepër sesa Egnatia në cilësi, më e rëndësishmja për klubin e Rrogozhinës është që të sigurojë mbijetesën. Më pas pa presion dhe me një “bishë” të ndezur në sulm si Pedro Augusto, pa harruar lojtarë të tjerë si Cyrbja, Telushi dhe Imeri, mund t’i lihet vend gjithçkaje që të vijë si surprizë. /Sport Ekspres/