Statistikat nuk flasin aspak për Partizanin në këto gjashtë javë të para të kampionatit. Të kuqtë kanë vetëm zotërimin e topit që flet për ta, por për çfarë nevojitet duke parë shifrat e tjera? Kryeqytetasit nuk kanë arritur ende që të marrin fitoren e parë, ndajnë vendin e parafundit me Kastriotin dhe kanë vetëm katër pikë.
Gjithashtu në dy derbi që kanë zhvilluar deri tani numërojnë një humbje me Tiranën dhe një barazim me Dinamon, të ndihmuar jo pak nga sjellja e gabuar e Sofranac që la me 10 lojtarë skuadrën. Ndërkohë Partizani është skuadra që ka shënuar më pak gola me Skënderbeun në Superiore, ndërsa të gjitha ekipet e tjera kanë tundur rrjetën më tepër. Një sirenë e fortë alarmi kjo për Partizanin, për të treguar se konkretizimi është mungesa më e madhe në këto javë. /Sport Ekspres/