Emanuel Mensah kur vendosi të rikthehej në Shqipëri nuk e kishte menduar se do të konsiderohej një alternativë. Gega te Partizani e la në stol në takimin e parë të kampionatit kundër Skënderbeut dhe lojtari nuk është se ndihet mirë për këtë.
Në fakt kushdo dëshiron që të luajë. Mensah është ballafaquar në të shkuarën me trajnerin Gega, ndërkohë që te Partizani nuk është se dëshirojnë ta lënë të ikë sulmuesin anësor. Gjithsesi duhet gjetur një zgjidhje.
Nga ajo që mëson Sportekspres.com, të kuqtë ia kanë ofruar Tiranës Mensah në huazim deri në fund të sezonit. Kjo është refuzuar kategorikisht nga ana e drejtuesve bardheblu. Edhe vetë Mensah nuk e ka përkrahur diçka të tillë. Ai dëshiron të jetë i lirë dhe të vendosë vetë për të ardhmen nëse ikën nga Partizani.
Te 24 herë kampionët e vendit janë në pritje ende për lojtarin. Pista Mensah mbetet e hapur, por duhet parë edhe reagimi i tifozëve të Partizanit. Cilësitë e ganezit dihen dhe në rrjetet sociale ata shprehen kundër largimit të Mensah. Edhe më kategorikë janë kur mendojnë se ai do të kalojë tek Tirana “armike”. Drejtuesit e kuq janë mes dy zjarresh.