Real Madrid po tenton të marrë veten nga periudha e keqe dhe rezultatet negative. Kampionët e Europës në fuqi nuk kanë shënuar prej katër ndeshjesh midis kampionatit dhe Champions-it dhe kjo gjë ka sjellë kritika të shumta nga ana e tifozërisë. Ekipi i Julen Lopeteguit ka pësuar katër humbje në 11 ndeshjet e para zyrtare dhe ky është një rekord negativ i ish-trajnerit të Spanjës.
Paraardhësit të tij, Zinedin Zidan, iu deshën 58 ndeshje për të pësuar katër humbje, pra diçka më shumë se pesëfishin i ndeshjeve të Lopeteguit, ndërsa Karlos Ançelotit dhe Zhoze Murinjos iu deshën 46 ndeshje për të pësuar katër humbje me Real Madrid.
Një numër të tillë nuk e arriti as Rafa Benitez, i cili drejtoi ekipin “merengues” në gjysmën e parë të sezonit 2015-2016. Ai drejtoi Realin në 25 ndeshje, ku numëroi tre humbje. Shkarkimi i tij ndodhi më shumë për raportet e komplikuara me yjet e skuadrës, sesa për rezultatet sportive.
Përveç katër humbjeve, ekipi i Lopeteguit ka marrë dhe dy barazime, ndërsa në kampionat numëron katër fitore, dy barazime dhe dy humbje, me 45.4% të ndeshjeve të fituara. Pra nën drejtimin e Lopeteguit, Real Madrid ka fituar një ndeshje në dy të zhvilluara.
Një përqindje e vogël, por Florentino Perez nuk e ka vendosur akoma shkarkimin e tij. Kreu i klubit beson akoma në reagimin e skuadrës dhe nuk e harron sakrificën e trajnerit, i cili hoqi dorë nga Botërori me Spanjën për të drejtuar Realin. Megjithatë, skuadra duhet të rikthehet te rezultatet pozitive, përndryshe Antonio Konte është gati për ta pasuar në stolin e madrilienëve.