Nis sot, ora 21:00, Championship i Anglisë, pra kategoria e parë, pas elitës Premier League… 3 gusht 2018, 24 formacione dhe tre vende për t’u ngjitur lart. Fisnikë të rënë, premtime të mëdha dhe shpresa, talente dhe kampionë.
Sidomos, “rrebesh” stërlinash, në ligën e dytë më të pasur në botë, që do të hapet me sfidën mes Reading dhe Derbi Kaunti në orën 21:00… Dhe, nuk mund të mungonte ai, ish-mesfushori i Anglisë dhe i Çelsit, Frenk Lampard, që është trajneri i ri i Derbit.
Mes ekipeve favorite për fitoren finale është Midëllsbrou i Toni Pulisit. Goditje të rëndësishme si Aden Flint dhe Pedi MekNeir, ylli i formacionit të ish-trajnerit të Uest Bromuiçit, që ka marrë drejtimin në dhjetor me 11 fitore në 22 ndeshje, apo edhe ish blaugana Adama Traore.
Më pas, ish-skuadra e Pulis, Uest Bromuiç, e Darren Mur në pankinë. Një skuadër me potencial, për Premier League, si Naser Çadli, Hoze Rondon, Xhei Rodriguez, Oliver Burke dhe jo vetëm.
Poshtë edhe Stouk Siti, në mënyrë të pabesueshme, por cilësia nuk i mungon skuadrës së Geri Rouet, i zgjedhur për ringjitjen.
Benik Afobe është konsideruar nga bookmakers si golashënuesi i ardhshëm i Championship, në një skuadër që ka në përbërje edhe Xhek Batlend, Xho Alen, Saido Berahino, Tom Ins, Rajan Shaukros, Çarli Adam, Erik Çupo-Moting dhe jo vetëm.
Derbi i Lampardit, që luan sot, ka yllin Mejson Maunt, teksa edhe Matej Vidra shihet si me peshë.
Lids Junajtid ka zgjedhur “guru” në stol, si Marselo Bielsa, ndërsa Patrik Bamford do të jetë pika e referimit përpara. Në mbrojtjes, lideri Pontus Janson.
Suonsi Siti, pas rënies, ka rinovuar grupin, teksa Notingam Foresti ka paguar 30 mln euro për të blerë Zhoao Karvaljo dhe Diogo Gonçalvesh. Bie në sy edhe Bersant Celina, talenti i Kosovës.
Një grup portugez, stil i Uolverhamptonit sezonin e fundit, me Aitor Karankan në stol, si trajner.
Pasi ka shpëtuar nga kriza financiare dhe falimentimit, Aston Vila kthehet të ëndërrojë. Stiv Brus është konfirmuar në pankinë, investimet janë shtyrë, për momentin, në dimër.
Brentfordi i anglezit Din Smith ka shumë lojtarë interesantë dhe të rinj, si Kristian Memfa.
Noruiç Siti ka humbur holandezin Tim Krul, por kanë ardhur Xhejms Morrison dhe Xhosh Mërfi.
Në sulm, Rodes i përzgjedhuri, i ardhur huazim nga Shefild Uensdei, por edhe portuezi Nelson Oliveira.
Edhe Preston ka organikë me të rinj cilësor, si Rajan Ledson i ardhur nga Oskford Siti.
Endrra playoff është e mundur edhe për Shefild Junajtid, kushërinjtë e Shefilld Uendsdei. Duhet patur kujdes edhe Bristol Siti, i nënvlerësuar në Angli, por trajneri Li Xhonson ka grintë dhe pasion.
Si mund të harrohet Miluoll? Një “minë me sahat”, që ndoshta lart nuk e duan për tifozerinë më të egër në Angli dhe për të shmangur derbin e zjarrtë, ndaj Uest Hamit. Neil Harris do të tentojë ta ngjisë.
Kuins Park Rejnxhërs i Stiv MekKlarenit ka Masimo Luongon, australianin, si referim. Hall Siti ka humbur shumë terren, ndërsa Reding nuk paraqitet mjaft mirë.
Rotherham, sakaq, shihet si skuadra e parë që do të bjerë nga kategoria, sipas bookmakers.