Ditën e sotme starton dhe kampionati në Kosovë. Ndeshja hapëse e sezonit është ajo midis Ferronikelit dhe Trepça 89, që do zhvillohet në Drenas. Në krye të dy ekipeve janë dy trajnerë me eksperiencë të gjatë në superiore si Sulejman Starova dhe Gugash Magani.
Të dy teknikët iu bashkuan skuadrave në mes të sezonit të kaluar, por asnjëri prej tyre nuk arriti të kapte objektivat që i kishte vendosur klubi. Gjatë kësaj merkatoje të dy klubet kanë afruar shumë lojtarë dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të tregojë fusha e lojës.
Konkurrenca në kampionatin kosovar mbetet më e fortë se kurrë. Mbi pesë ekipe pretendojnë për titullin kampion, shpenzimet në merkato tregojnë qartë që në Kosovë do zhvillohet një kampionat mjaft i luftuar.