Starova: Trashi ka bërë autokritikë. Partizani nuk ka të krahasuar me Tiranën

0

Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, ka dalë sot në konferencën e zakonshme për shtyp para sfidës kundër Flamurtarit, duke u ndalur në tema të ndryshme, nga merkatoja, te kthimi i Trashit, dëmtimi i Çanit, krahasimi me Tiranën e vjetshme dhe sfida kundër Flamurtarit, me një batute pikante për takimin me Shpëtim Duron…

Merkato – “Nuk patëm mundësi ta kompletonim skuadrën gjatë minifazës në Turqi, por ditët e fundit janë afruar disa lojtarë dhe shpresoj të ecim mirë. Lojtarët që keni parë, edhe pse ndonjë është ende në provë, janë kandidatë për të qenë pjesë e ekipit dhe presim dokumentacionin për disa prej tyre”.

Flamurtari – “E ka nisur si gjithmonë, me financa të fuqishme, por këtë vit po ecën mirë edhe në fushë. Ne e nisëm keq, por tani jemi vetëm 4 pikë larg vendit të dytë dhe treguam që edhe me një organikë të vogël kemi mundësi të shkojmë lart. Flamurtarin e njohim të gjithë, presidenti i Flamurtarit ka bërë sërish ndërhyrje në merkato dhe kemi përballë një ekip me synime madhore. Megjithatë, ne shkojmë për rezultat pozitiv, si për këtë ndeshje, si për kupën”.

Largimet – “Nuk mendoj se jemi dobësuar, nuk ekziston kjo ide. Lojtarët e afruar janë vlerë e shtuar e ekipit, shansi është vetëm për mirë, për më keq nuk ka shans”.

Trashi – “Trashi ka bërë autokritikë para skuadrës, shleu gabimin për thyerje disipline dhe kthehet pjesë e skuadrës. Janë dukuri që ndodhin në çdo skuadër, në gjithë botën, ndaj që sot Trashi është pjeë e skuadrës”.

Malota, Vila dhe Krasniqi, arsye largimi? – “Pse, kur largojnë Milani a Juventusi ndonjë lojtar, u jepet ndonjë shpjegim më shumë gazetarëve? Ai është kapitull i mbyllur, atyre lojtarëve u uroj suksese dhe Partizani flet vetëm ata që ka në dispozicion”.

Sfida me Duron – “Pse duhet të jetë sfidë personale? Nuk ka lidhje, nuk ka pse të ketë përplasje mes nesh. Trajneri matet me rezultate dhe renditja shihet në fund të vitit, shihen paraqitjet, objektivat e arritur, kështu maten sfidat mes trajnerëve. A do ta takoj? Ç’është ky kuriozitet? Ka disa rregulla në futboll, mysafiri pritet nga vendasi, nuk shkon mysafiri t’i japë dorën pritësit”.

Çani – “Është një lojtar që ka vuajtur personalisht, ashtu si gjithë skuadra, sepse ishte një lojtar nga i cili pritej shumë dhe nuk ka pasur mundësi të aktivizohej. Ai ka pasur një ndërhyrje të vogël, jo e lidhur me dëmtimin e vjetër. Në fund të javës do të bashkohet me skuadrën, për të marrë ngarkesë të plotë. Shpresojmë ta kemi në maksimum për vazhdimin e sezonit”.

Partizani, a rrezikon si Tirana e vjetshme? – “Po ta dini historinë e Tiranës, nuk do ma bënit këtë pyetje. Fali gjashtë pikë, i dhuroi, pastaj u braktis nga tifozët dhe u gjet një terren për ta sulmuar edhe me gjykimet. Motivet pse ra ishin të shumta. Kishte skuadër që nuk mund të binte nga kategoria. Arsyet e tjera bënë që të shkonte në atë pikë. Nuk ka lidhje me ne. po përpiqem t’iu argumentoj se duke llogaritur që janë larguar lojtarë që ishin në tribunë, nuk kanë luajtur fare, jemi detyruar të futemi sërish në merkato. Tani po garantohet konkurrenca, edhe pse është një periudhë e shkurtër të bëjmë të pamundurën”.

Objektivi i Partizanit – “Partizani është legjendë, ka objektiv të detyruar titullin kampion dhe trofetë, si dhe prezantimin dinjitoz në kupat e Europës”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.