Gjoka pret një dhuratë për ditëlindje: Në Shkodër nuk dua gabime!

Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, feston ditëlindjen sot dhe një dhuratë fantastike për të do të ishte një fitore nesër ndaj Kukësit.

Një ndeshje e veçantë për Gjokën, sepse pret skuadrën me të cilën doli kampion sezonin e shkuar, por gjithsesi në konferencën e sotme për shtyp trajneri i kuqebluve nuk ka shfaqur ndonjë emocion të madh dhe shpjegon arsyen: “Unë Kukësin e njoh mirë, pasi kam bërë një vit të jashtëzakonshëm me ta. E njoh mirë elementin që është brenda, njoh mirë filozofinë e atyre lojtarëve, pasi kemi punuar dhe kemi dalë kampion. Kukësi është një ekip që duhet vlerësuar, që pavarësisht se si e njoh unë, sot janë ndryshe. U ka ardhur një trajner tjetër, kanë një mentalitet tjetër, por mendoj se ne duhet të vazhdojmë rrugën e fitoreve dhe të shohim përpara. Kjo është ajo që duhet të kërkojmë, pavarësisht se kemi kampionët përballë”.

Të paktën në Shkodër Gjoka pret rezultate pozitive, për ta kthyer “Loro Boriçin” në fortesë: “Sigurisht në lojë janë të tria rezultatet, por ne tashmë nuk duhet të shohim asnjë rezultat në fushën tonë veç fitores. Mund të jetë edhe barazimi brenda, por është shumë e rëndësishme që ne të kërkojmë dhe të japim gjithçka, për të marrë gjithçka. Kjo është ajo që ne kemi ndërtuar dhe po e flasim edhe me futbollistët. Kemi sjellë disa lojtarë me eksperiencë, siç janë Malota, Sukaj, Berisha e Mersini. Këta na japin besim dhe garanci që do jetë një ekip krejt ndryshe, një ekip më i fortë, një ekip me një qetësi edhe më shumë, me Orelesin qe e kemi nxjerrë përpara në pozicion më të mirë”.

Nesër stadiumi mund të mbushet dhe Gjoka u bën thirrje ta mbështetin skuadrën: “Shpresoj të na ndihmojnë, jemi në momentin që kemi nevojë për të gjithë, për ju, tifozët, për një fjalë të mirë, pasi jemi në momente të vështira. Sigurisht që tifozët e Vllaznisë janë të ndjeshëm dhe kanë shumë të drejtë, pasi nuk u kemi dhënë atë që u takon. Por mendojmë që do bëjmë gjithçka. Në këto momente kemi nevojë për ta, janë oksigjen për ne. Uroj të jenë në stadium me ne dhe t’i kënaqim e më pas të vazhdojnë traditën e mbushjes së stadiumet, sepse ai stadium dhe ajo skuadër ka nevojë për tifozët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online