E çuditshme është situata me Sodik Atandën në radhët e Partizanit. Mbrojtësi ka humbur rolin e titullarit dhe nuk shihet si i tillë nga ana e trajnerit Mark Juliano, në fakt rendimenti i tij nuk është e vetmja arsye, pasi sipas informacioneve të dala nga burime pranë lojtarit, bëhet fjalë edhe për një “krisje” mes palëve. Futbollisti futet në vitin e fundit të kontratës me të kuqtë dhe verën e ardhshme del lojtar i lirë që mund të largohet me parametra zero, por nga ajo që thuhet në kontratën e tij mund të largohet që tani.
Atanda ka në kontratë një pikë që e lejon të largohet nga Partizani me parametra zero edhe tani, por vetëm në një ekip jashtë Shqipërie. Menaxheri i tij e ka parë gjatë gjithë verës një mundësi të tillë, por perfermonca e nigerianit nuk ka qenë e duhura. Në ndeshjet e Europa Leagues, Atanda ka qenë edhe në vëzhgimin e disa skautëve, por paraqitja e tij ka lënë për të dëshiruar. Kjo do të thotë që edhe largimi i tij është i pamundur nga ekipi i “demave”.
KRISJA – Partizani i ka ofruar Atandës rinovimin e kontratës, por nigeriani nuk e ka pranuar. Aty është edhe pikënisja e të gjithë problemeve të tij me klubin. Nga ky moment, nigeriani duket se ka dalë “jashtë” planeve të ekipit të kuq. Atanda tashmë është kthyer në alternativë të katërt pas Krasniqit, Ibrahimit dhe Malotës që akoma nuk është rikuperuar plotësisht.
24-vjeçari tashmë duhet të shohë për ndonjë ekip tjetër, pasi te Partizani e ka vendin në pankinë, ose mund të përsëritet rasti i Fejzullahit. Preshevari rinovoi kontratën për t’iu shmangur stolit, mbase pankina do të dërgojë edhe Atandën drejt asaj rruge.