Egnatia e nisi vitin me një ndryshim në pankinë, teksa vendin e Ilir Duros e zuri Bledar Sinella. Te Rrogozhinasit do të ketë lëvizje, si në hyrje ashtu edhe në dalje. Drejtuesit po punojnë për ta përforcuar skuadrën, por ka edhe lojtarë që kanë spikatur dhe për të ka interesim.
Një nga ata lojtarë është edhe mesfushori Abaz Karakaçi. Shkodrani është kontaktuar nga dy klube të Kategorisë së Parë dhe e ardhmja e tij tek Egnatia është në dyshim. Sigurisht është nën kontratë dhe për të ardhur “divorci” do të duhet që palët të gjejnë gjuhën e përbashkët.
Karakaçi ka qenë një nga lojtarët kryesorë të Egnatias në 14 javët e para dhe vetëm në një takim nuk është aktivizuar për shkak të një kartoni të kuq. Në ndeshjet e tjera ka qenë titullar, madje ka arritur edhe të shënojë gola të rëndësishëm.
Tre herë e ka gjetur rrugën e rrjetës mesfushori me tipare sulmuese, që tanimë ka marrë edhe oferta. Në ditët në vijim mbetet për t’u përcaktuar e ardhmja e shkodranit, i cili ka provuar të luajë edhe në Superiore me Tërbunin, Apoloninë dhe Vllaznisë. Në të Parën ka veshur fanellën e Luftëtarit, Partizanit, Adës, Butrintit, Besëlidhjes dhe Kastriotit.