Një Atalantë perfekte, në çdo drejtim, i ka dhënë një leksion Juventusit sot në mbrëmje, duke e mundur 3-0 dhe duke e eliminuar nga Kupa e Italisë, kompeticion që prej vitesh ishte kthyer në pronë private të kampionëve të Italisë.
Maks Alegri hodhi në fushë thuajse më të mirët, duke mos lënë pushim as Kristiano Ronaldon, por ishte një mbrëmje ters. Atalanta po ashtu e plotë, me Berisha e Gjimshiti në formacion, të dy autorë të një paraqitjeje të shkëlqyer.
Në pjesën e parë Atalanta luajti një futboll mjaft agresiv dhe cilësor, duke shënuar dy herë, me Kastanje e Zapata, në minutat 37 e 39, ndërsa trajneri i Juventusit doli me karton të kuq për protesta, pas golit të dytë.
Që në minutën e 26-të u pa se ishte një natë e keqe për bardhezinjtë, sepse u dëmtua Kielini dhe pas Bonuçit Alegri mund të humbasë edhe një lider në prapavijë.
Në pjesën e dytë ritmi ra dhe Atalanta kontrolloi pa probleme, derisa Zapata mbylli llogaritë në minutën e 86-të, duke përfituar nga një gabim i De Shilios.
Juve jashtë, Atalanta fluturon në gjysmëfinale, ku do të përballet me Fiorentinën.