Speciale/ Iliria e Fushë-Krujës, çerekshekulli histori

Trajneri i parë, Kujtim Kaziu, rrëfen emocionet në këtë 25-vjetor të themelimit. Qyteti i vogël ka ditur, përtej vështirësive, të ruajë e përsosë traditat pozitive në futboll

Nga: Fatmir Efica

Çdo skuadër futbolli ka të drejtë të “mburret” me historinë e saj. Sado modeste qoftë ajo, brezat e ndryshëm në një ditë solemne si kjo e sotmja, 10 qershori 2017, kur Iliria Fushë-Krujës feston 25 vjetorin e themelimit, evidenton një histori.

E tillë madje që ia vlen të kthesh edhe tani kokën prapa, aq më tepër që skuadra ka arritur të përfaqësohet deri në elitën e futbollit shqiptar në sezonin 1994-95, duke luajtur për herë të parë e të fundit gjer më sot në Kategorinë Superiore. Sa për nostalgji, futbolli për Ilirinë duhet kujtuar se ka marrë jetë dhe zhvillimin e duhur vetëm në vitet e demokracisë. Në fakt, loja magjike kishte nisur më herët te skuadrat e grupmoshave që shfaqeshin pas vitit 1970. Atëherë kishte një brez njerëzish pasionantë, të cilët u rritën dhe e përjetuan fuqishëm ëndrrën e krijimit, organizimit dhe përfaqësimit të Ilirisë në kampionatet kombëtare. Një prej tyre është edhe 59-vjeçari Kujtim Kaziu, të cilin për motive politike, segmentet e dikurshme e detyruan ta lërë shpejt e në mënyrë të pavullnetshme pozicionin e drejtuesit të parë të Ilirisë. Ai sjell një rrëfim unikal si trajneri i parë i këtij ekipi.

 

– Zoti Kujtim, 25 vite më parë Iliria, por dhe ju si trajner, bëtë të parin debutim në futbollin shqiptar. Si ndodhi?

– Fati e deshi që në këtë periudhë FSHF-ja organizoi një kurs një mujor për trajnerë futbolli tek ish-kompleksi Dinamo. U regjistrova me një frymë, ngaqë merrnin pjesë edhe specialistë zviceranë. Gjithashtu kishte edhe shumë emra të njohur të futbollit shqiptar, si Mexhit Haxhiu, Millan Baçi, Shkëlqim Muça, Fatmir Hima, Luan Deliu, Apostol Fështi, Edmond Gëzdari, Ilir Luarasi, Ferit Rragami. U pajisëm me dëshmitë përkatëse dhe përvoja e ndërsjellët e fituar më ndihmoi të isha në krye të Ilirisë.   

– Në memorien tuaj si trajner i parë, çfarë kujtoni për ecurinë e ekipit?

– Ishte ngjarje me përmasa të paharruara përfaqësimi i Ilirisë në kampionatet kombëtare nga viti 1992 e deri më sot. Të jashtëzakonshme e çmoj dhe sot iniciativën e 25 viteve më parë mbi ngritjen e ndërtimin e ekipit. Një nismë që u mbështet fort nga populli sportdashës, që dua ta falënderoj me shpirt. Madje edhe biznesi ndihmoi. Bedri Ziri ishte iniciatori që afroi të tjerë dashamirës. Njerëz që nuk iu “dridh” asnjëherë dora të mbanin në këmbë ekipin janë Kujtim Miri, Sulo Grapaj, Pëllumb Koka, Ismet Murriqi dhe i paharruari Abaz Ulliri, që financuan gjithçka në vitet e para. Këta njerëz më shpirtmadhësinë e tyre dhuruan gjithçka për futbollin në Fushë-Krujë. Ndihmesë të rëndësishme në vitet e para kemi pasur edhe nga Partizani, drejtuesit e atëhershëm Bujar Labinoti e i paharrueshmi Gjergji Thaka.      

– A mund të na i sillni në vëmendje ish-futbollistët e brezit të parë të Ilirisë?

– Është kënaqësi, madje shpresoj të mos harroj ndonjërin. Janë konkretisht: Gëzim Kuqi, Agim Prushi, Qemal Prushi, Arben Çypi, Nazmi Doku, Marim Haxhia, Lulëzim Disha, Ilir Backa, Luan Çela, Festim Lusha, Bashkim Selmani, Shyqyri Sadiku, Indrit Gjokeja, Agron Çela, Guxim Sorra, Pëllumb Ymerllari, Pëllumb Babasi, Skënder Maloku, Ilir Çypi, Nazmi Selmani, Ramadan Shima, Lulzim Thaçi, Sulejman Dema, Ivan Bardhi, Shkëlqim Saliu, Blerim Çela, Hamit Vathi. Në stafin teknik drejtues ishin Kujtim Kaziu, Afrim Kurti e Jonuz Lala, një brez që në harmoni të plotë la kujtime të pashlyeshme.  

– Ndonjë ndeshje, mund të veçoni në vitet e para?

– E paharruar do të mbesë fitorja në Krujë në majin e vitit 1994. Fituam një takim që kishte vlerën e një finaleje. Krutanët luanin për dy rezultate, ndërsa Iliria ngjitej vetëm nëse fitonte. Ndodhi pikërisht ajo që askush se kishte menduar. Fitorja e Ilirisë pati vlera përcaktuese, duke triumfuar brenda në stadiumin fqinj të Kastriotit. Ngjitja në kampionatin elitar solli një tjetër fitore në start me Vllazninë 1-0, me një gol të mrekullueshëm nga Shkëlzen Rustami. Atmosfera e mobilizimit bëri të mos ndikonte fakti që ky takim u luajt dhe u fitua në Laç. Skuadra, ndonëse për shkak të përvojës së pakët, nuk arriti të rezistojë, pasi zbriti sërish në Kategorinë e Dytë, krijoi megjithatë një bazament të mirë falë pasionit të Fatmir Salës, njeriut më të apasionuar që ka mbajtur gjallë tërë këto vite futbollin në Fushë-Krujë, duke bërë sakrifica të papara.   

– Si përfaqësues i brezit të parë, cilët futbollistë mund të veçoni ndër më të spikaturit në këto 25 vite tek Iliria?

– Shpresoj të mos më paragjykojë kush, por unë do të rendis këta si formacionin më të mirë: Florenc Shahini, Saimir Gjokeja, Pëllumb Ziri, Saimir Maloku, Pëllumb Demiri, Dashamir Cangu, Afrim Deliu, Shkëlzen Rustami, Besnik Hasa, Durim Psatha, Besnik Zeka, etj. Pa diskutim, trajneri më i suksesshëm është Fatmir Sala.

 

Si u ndërtua skuadra e Ilirisë

Stadiumi aktual “Redi Maloku”, 25 vite më parë ngjante me një livadh. U fillua me rrethim brenda e jashtë, me ndërtimin e ambienteve për skuadrat, gjyqtarët dhe prapavijën, që kanë mbetur edhe sot thuajse po të njëjta. Data 10 qershor 1992 mbetet një ngjarje madhore për futbollin në qytezën e Fushë-Krujës: Formimi i së parës skuadër, e quajtur Iliria dhe që grumbulloi rreth saj djem pasionantë, të cilët do t’i jepnin aq shumë gëzim qytetit të vogël. Kujtim Kaziu, së bashku me Afrim Kurtin e Jonuz Lalën, që drejtonte skuadrën e të rinjve U-19, paralelisht me punët intensive për fushën e stadiumit, bënë në mënyrë “rrufe” dhe ndërtimin e skuadrës, e cila në 3 sezonet e para u përfaqësua në Kategorinë e Dytë.

Nostalgji/ Mrekullia e ngjitjes në Superiore dhe festa e “dubluar” me Teutën

Për të ardhur te kjo ngjarje, ndër më të bukurat e futbollit në Fushë Krujë, u kalua një ndeshje historike: fitorja që Iliria kreu me Kastriotin. Në stadiumin Krujës në fushë u fitua burrërisht 2-1. Pas ndeshjes dhe në tërë aksin që zbret Kruja festa ka shpërthyer. Qyteti i ka pritur futbollistët si heronj. Atë natë askush nuk fjeti, pasi sheshi dhe lokalet e qytetit të vogël u mbërthyen nga festimet. Ishte më shumë se një mrekulli ngjitja në Kategorinë Superiore dhe luajtja për herë të parë e të fundit për Ilirinë në sezonin 1994-95 në elitën e futbollit shqiptar. Festa e Ilirisë u “dublua” këtë mbrëmje në Fushë-Krujë dhe me ndalesën që bënte Teuta e Durrësit, që kthehej nga fitorja në Lezhë me Besëlidhjen dhe që shpallte Teutën për herë të parë kampionë të Shqipërisë. “Të dyja skuadrat, ne dhe Teuta – tregon Kujtim Kaziu – kaluam çaste të paharruara në qendër të Fushë-Krujës, të rrethuar nga entuziazmi i jashtëzakonshëm i të dyja tifozerive, që patën bashkë dy gëzime në një ditë”. Ky kujtim ka mbetur edhe sot mjaft i bukur dhe shumë emocionues e mbresëlënës. Në elitë Iliria e mundi Teutën 3-2 në Krujë. Golin e fitores e realizoi Ivan Bardhi në minutën e 90-të.   

 

NDRYSHIMET/ Pas rënies nga Superiorja, riorganizimi i dytë për Ilirinë

Pas eksperiencës së vetme në Superiore, ndodhi ashtu pa pritur vdekja e biznesmenit Abaz Ulliri, një financues ky që pati dhënë shumë për futbollin. Skuadra “rrëshqet” dhe bie në kategorinë e dytë, e madje për disa vite iu desh të luante edhe më poshtë, në Kategorinë e Tretë. Thuajse për një dekadë (1999-2009) pati “krizë” në shumë aspekte dhe u desh afrimi e mbështetja që dhanë një grup tjetër sponsorësh, si Ndriçim Babasi, Kiço Gjonçi, Met Hida dhe ish-Bashkia e Fushë-Krujë e tani ajo Krujës, nga e cila varet Iliria. Skuadra në tre sezonet e fundit luan dhe përfaqësohet denjësisht në Kategorinë e Parë. Ky përvjetor i 25-të tregon se Iliria po rritet vit pas viti.  

 

REZULTATET/ Sezoni 1994-95, historia në elitë e Ilirisë

Me Tiranën 0-5 ; 1-2

Me Tomorin 0-1 ; 0-0

Me Teutën 3-2 ; 0-2

Me Apoloninë 3-5 ; 0-2

Më Partizanin 1-3 ; 1-2

Me Vllazninë 1-0 ; 0-1

Me Flamurtarin 0-5 ; 1-0

Me Elbasanin 0-2 ; 0-1

Me Luftëtarin     1-0 ; 1-4

Me Besëlidhjen    1-1 ; 0-2

Me Albpetrolin 0-1 ; 4-3                                

Me Laçin           2-1 ; 0-2

Me Shkumbinin 0-3 ; 0-4                               

Me Besën 0-1 ; 0-1

Me Dinamon      0-1 ; 1-8

BILANCI: Vendi 16-të, 30 ndeshje, 7 fitore, 2 barazime, 21 humbje, gol. 22:64

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *