Speciale | Formacioni i karrierës: Muskuj e fantazi, Cungu “habit” me skemën

Kur “gërmon” në “minierën” e futbollit shkodran, nuk do gjesh vetëm talente për futbollin e luajtur, por edhe trajnerë të tillë. Nëse historia e Vllaznisë njeh emra të mëdhenj, mes tyre është edhe Armando Cungu, ndoshta më lart nga të tjerët, sepse është i vetmi nga shkodranët që në drejtimin e Kukësit ka arritur deri në turin e katërt të UEFA Europa Ligë.

Dhe ai nuk i ka thënë jo ftesës së SportEkspres.com për të ndarë me sportdashësit shqiptarë dhe lexuesit tanë formacionin me lojtarët më të mirë që ai ka drejtuar në karrierën e tij si trajner. Interesant është edhe moduli që Cungu ka i përzgjedhur lojtarët më të mirë, ku me renditjen taktike 3-4-3, ai thuajse është fokusuar vetëm te skuadra e Kukësit.

Kështu, portieri më i mirë për Armando Cungun është Argent Halili, vlonjati që bëri histori me skuadrën kuksiane në disa sezone. “Jo vetëm se Halili ishte ndër portierët e parë të Kukësit në Superiore, por edhe për faktin se ai bëri histori më këtë skuadër, në Shqipëri dhe Europë”, të thotë tekniku shkodran kur pyetet pse ka zgjedhur pikërisht vlonjatit.

Edhe reparti i mbrojtjes dominohet nga skuadra e Kukësit, për të cilën Cungu tregohet sa nostalgjik, aq edhe realist. “Tre mosketierët” e repartit të prapavijës janë përzgjedhur Lukas Malakarne, Ylli Shameti dhe Adrian Cuculi, të cilët ai i veçon për karakteristikat e tyre të veçanta në fushë. “Të tre këta mbrojtës ishin lider në pozicionet e tyre. Të fortë, të sigurt dhe pjesë e gjithë lojës në skuadër. Unë i quaja si një garanci, ku skuadra e Kukësit e mbështeste suksesin”.

Mesfusha e përzgjedhur nga Armando Cungu është më e “populluar”, pasi ka vendosur katër të tillë, ku  krahët u besohen lojtarëve të fortë dhe energjikë: Raman Hallaçi në të djathtë dhe Endri Vrapi në krahun e majtë. Besar Musolli dhe Emiliano Veliaj formojnë qendrën e mesfushës më të mirë në formacionin e Armando Cungut.

Treshja e sulmit duket tepër interesante, pasi tekniku shkodran ka vendosur emra futbollistësh që në Kategorinë Superiore kanë qenë faktor me golat e tyre, si edhe më shërbimet cilësore në skuadër.  “Duke vendosur tre sulmues në repartin e avancuar, jam realist të them se të tre mbeten golashënues race, me të cilët garancia e golit bëhej edhe më e sigurt. Edhe pse Kordero Uilliams, Marko Cetkoviç dhe Xhejms Adeniji nuk kanë qenë kryegolashënues, golat e tyre periodikisht kanë dhënë ndikim pozitiv në skuadër”.

 

KARRIERA – Armando Cungu e ka nisur karrierën e tij në futboll, pikërisht me skuadrën e vendlindjes, Vllazninë. I lindur më 23 prill 1973, në moshën 20-vjeçare Cungu nisi rrugën e futbollistit profesionist, ku më pas ka luajtur me skuadra të tjera, si Luftëtari, Teuta, Etnikos e Pireut në Greqi dhe Flamurtari i Prishtinës në Kosovë.

Rrugën e trajningut Armando Cungu e ka nisur në vitin 2006 me Adën e Velipojës në Kategorinë e Parë dhe prej këtij viti e deri më sot është pjesë aktive në pankinat e skuadrave të Kategorisë Superiore. Gjatë kësaj periudhe 12-vjeçare ai ka drejtuar dy herë Vllazninë dhe po kështu Kukësin, skuadër që edhe e drejton aktualisht. Gjithashtu ai ka qenë në krye të Laçit, ekip me të cilin ka fituar Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë.

IDEUAN DHE PËRGATITËN: Vladimir Prenga, Agron Kaja 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *