Interi do të luajë mbrëmjen e nesërme ndeshjen e kthimit ndaj Aintrahtit të Frankfurtit, e vlefshme për fazën e 1/8-ave të Europa League. Përballja e parë ka përfunduar në barazim pa gola, duke lënë gjithçka të hapur.
Në konferencën e sotshme, përpara mediave kanë dalë trajneri Spaleti dhe mbrojtësi Shkrinjar. Trajneri i zikaltërve ka folur për disa tema, ku kryesorja ishte ajo e dëmtimeve dhe mungesave që e shqetëson jo pak numrin një të stolit të Interit.
NDESHJA – “Nesër është një ndeshje me eleminim direkt dhe duhet të marrim vendimet e duhura, për t’u siguruar që nuk do të jemi ne ata që eleminohemi. Duhet të bëjmë paraqitjen më të mirë të mundshme.”
EKIPI – “Duhet të fokusohemi nesër dhe të mos mendojmë për derbin ndaj Milanit. I kemi aftësitë dhe mundsitë për të fituar dhe e di që lojtarët do të jenë të motivuar, duke e ditur rëndësinë e ndeshjes. Nuk duhet të shohim për t’u ankuar. Do të kemi 11 lojtarë në fushë që është e mjaftueshme për të fituar.”
MUNGESAT – “Borha Valero do të luajë, ndërkohë Brozoviç do të jetë në stol. Sa për të rinjtë, nëse ata janë pjesë e klubit si të tjerët, atëherë duhet të jenë gjithmonë gati. Mund të jetë një mundësi e mirë për të treguar se çfarë dinë të bëjnë. Perishiç është një lojtar i rëndësishëm për ne. Do të jetë një vlerë e shtuar, pasi është shumë teknik dhe i mirë në lojën një kundër një. Ka shumë elementë që mund të të ndryshojnë lojën.”
MILAN SHKRINIAR – Qendërmbrojtësi analizon takimin me Ajntrahtin e Frankfurtit: “Presim një ndeshje të vështirë, sikurse tek e para. Duhet të jemi të vëmendshëm dhe të mos pësojmë gol. Duhet të tregojmë karakterin tonë. Në Frankfurt kemi bërë një pjesë të parë të mirë dhe kemi pasur mundësi shënimi. Kemi nevojë të bëjmë të njëjtën gjë”.
Nevojat e ekipit në mesfushë: “Kam luajtur si mesfushor me kombëtaren dhe jam gati të luaj edhe me Interin”. Në lidhje me golin, që ende nuk e ka gjetur këtë sezon, ai shtoi: “E vërtetë, ende nuk kam shënuar këtë sezon. E di që golat e mi mund të ndihmonin ekipin dhe unë për këtë përpiqem gjithmonë”.
Gjermanët kanë në sulm një lojtar si Sebastian Haller, autor i 15 golave në Bundesligë. Shkriniar e vlerëson francezin: “Është shumë i mirë, fizikisht dhe teknikisht. Gjithashtu është shumë i fortë në luftën në ajër”.