Interi pret nesër në shtëpi Sampdorian dhe djemtë e Spaletit do të kërkojnë fitoren e dytë rresht në kampionat. Vendi i tretë duhet ruajtur me çdo mënyrë, aq më tepër tani që gara për një vend në Champions Ligë është ashpërsuar.
Luçiano Spaleti ka folur në konferencën për shtyp, duke u ndalur gjatë te Mauro Ikardi. Shumë ngjarje kanë ndodhur gjatë këtyre ditëve dhe kjo është çështja kryesore që po mban në ankth Interin.
Trajneri shpjegon vendimin e marrë dhe ka disa mesazhe për lojtarin. Lautaro Martinez do të marrë postin e tij dhe Spaleti ka besim të plotë te 21-vjeçari. Vlerësimi për Sampdorian është maksimal dhe trajneri zbulon në fund dhe kapitenin e vërtetë të ekipit zikaltër.
IKARDI – “Vendimi për t’i hequr shiritin e kapitenit Ikardit ishte një zgjedhje shumë e dhimbshme dhe e vështirë për t’u marrë, por është e rëndësishme të jesh i drejtë dhe korrekt kundrejt grupit. Në dhomat e zhveshjes ne i themi gjërat në sy. Ky vendim nuk është kundër Ikardit, por në favorin e Interit. Këtë gjë i thamë dje lojtarit. Ne duhet t’i japim llogari klubit dhe tifozëve rreth vendimeve tona. Skuadra vjen përpara të gjithëve, Ikardi na ka krijuar vështirësi dhe shqetësime në marrjen e këtij vendimi, sepse ai është një futbollist i fortë dhe do të dëshironim ta kishim përsëri në dispozicion. Atë që kisha për t’i thënë, ia thashë në sy. Mauro ka një problem dhe për momentin nuk është në kushtet për të luajtur. As Keita nuk është gati dhe duhet të presim dhe disa ditë për të.”
ZGJIDHJA – “Rezultatet e ekipit vlejnë më shumë se kjo situatë e krijuar. Ekipi pret që të vijojë punën në fushë përpara gjithçkaje dhe jo diskutimet për Ikardin. Duhet të kalojmë mesazhin që ne jemi të gatshëm të kalojmë këtë situatë për të mirën e Interit.”
SULMI NDAJ UANDËS – “Shpresoj që denoncimi të kryhet sa më shpejt dhe të kapet fajtori i kësaj ngjarje.”
RIKTHIMI I IKARDIT? – “Mesa duket nuk isha i qartë në fjalët e mia. Gjithçka që ka lidhje me gjendjen fizike të lojtarit, ka të bëjë me stafin mjekësor.”
INTERI PA IKARDIN – “Lautaro ngjan shumë me Ikardin sa i përket mënyrës së lojës, ndërsa tani i duhet të tregojë atë cinizëm përpara portës, siç bënte Mauro më parë. Ai i ka cilësitë për ta bërë diçka të tillë, ka një karakter dhe personalitet të fortë, siç e tregoi në fitimin dhe goditjen e penalltisë kundër Rapidit. Jashtë zonës, Lautaro ndryshon me Ikardin. Kjo nuk do të thotë që mund t’ia dalim pa Ikardin, ai është pika jonë e fortë dhe duhet të jemi të aftë që ta konvertojmë drejt së mirës së ekipit dhe jo individit.”
SAMPDORIA – “Ata janë një kundërshtar i papërshtatshëm, të stërvitur mirë dhe me një mënyrë loje të përcaktuar. Sampdoria ka një trajner të madh, i cili arrin të marrë maksimumin nga ekipi që ka në dispozicion, pavarësisht se klubi shet shumë lojtarë.”
MAROTA – “Kam shumë respekt për të, ashtu si për Sabatinin. Nuk është e vërtetë që jam kundër Marotës, edhe pse vazhdoni të shkruani të kundërtën.”
EKIPI – “Në Vienë patëm një reagim të mirë, pavarësisht se nuk treguam potencialin tonë të vërtetë. Kur tensioni është kaq i lartë në kokat e lojtarëve dhe dhomat e zhveshjes, nuk është e thjeshtë të mbetemi të bashkuar dhe solid. Kam marrë sinjale të rëndësishme nga ekipi dhe kemi bërë hapa përpara në aspektin karakterial.”
KAPITENI I RI – “Nuk ka ndryshime të mëdha, pasi Handanoviç e ka mbajtur dhe më parë shiritin e kapitenit, edhe pse kapiteni ynë në dhomat e zhveshjes është Ranokia. Lider është ai, i cili ndodhet brenda ekipit dhe nuk vihet re, por që e tregon veten e tij kur ka një problem për t’u zgjidhur dhe Andrea nuk gabon kurrë në mesazhet që përcjell.”