Interin e pret një transfertë e vështirë kundër Torinos. Ndeshja e nesërme parashikohet e fortë dhe plot duele. Luçiano Spaleti e di mirë një gjë të tillë, kërkon një paraqitje ndryshe nga ajo kundër Sasuolos dhe ka një kërkesë për lojtarët e tij.
Trajneri i Interit shpjegon dhe situatën e Ivan Perishiç. Arsenali po insiston për kroatin, i cili dallohet qartë që dëshiron të largohet. Spaleti flet dhe për kapitenin Ikardi, të cilin e vlerëson si futbollist, por dhe si lider.
PERISHIÇ – “Ivan është një futbollist i fortë dhe është normale që flasin për të. Ai ka oferta dhe njerëzit nuk flasin për ata që nuk kanë… Perishiç u pëlqen të tjerëve, por nevojiten numrat e saktë për të konkretizuar diçka. Ai e njeh profesionin e tij, pres që të vazhdojë ta bëjë dhe të japë akoma dhe më shumë. Mua merkato nuk më dhuron asgjë, sidomos përpara këtyrë lloj ndeshjesh. Pasja e mendjes diku tjetër merr diçka nga efikasiteti i punës time.”
TORINO – “Ata janë një skuadër e fortë, e ndërtojnë lojën në bazë të dueleve fizike dhe zotërojnë një teknikë të mirë. Duhet të jemi gati dhe të përpiqemi të luajmë atë ndeshje që duam.”
IKARDI – “Mauro po bën një kampionat të mirë. I kemi kërkuar të sakrifikojë pak më shumë dhe ai ka shprehur gatishmërinë e tij. Mos të harrojmë që ka raste kur gjërat ecin mirë, por dhe kur diçka nuk funksionon.”
EKIPI – “Pres më shumë nga të gjithë, jo vetëm nga lojtarët e talentuar. Kundër Sasuolos nuk luajtëm në nivelin tonë.”
MERKATO – “Ardhja e Sedrik lidhet me të ardhmen e Versaljkos. Klubi po bisedon me Atletikon për situatën e kroatit. Politano? Ka patur disa probleme të martën, por do e vlerësojmë përpara ndeshjes gjendjen e tij.”