E gjithë vëmendja e Superiores është e përqendruar te derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit. Para nisjes së kësaj përballje, ish-mbrojtësi i Partizanit dhe që aktualisht është pjesë e Dritës, Ardian Cuculi, ka folur në emisionin “Sport Magazine” që moderohet nga Drilon Xhepollari. Kështu Cuculi është shprehur se për Partizanin kjo ndeshje do të jetë pika e kthesës pasi edhe në të shkuarën ishin në shumicën e rasteve me rezultate negative para ndeshjes me Tiranën. Ndërkohë mbrojtësi tregon edhe bisedën me Rron Brojën se do të dëshironte shumë që të ishte në “Air Albania” për të luajtur në këtë stadium modern një ndeshje derbi. Për t’u veçuar është edhe fakti se trajnerët dhe lojtarët e dy ekipeve kërkojnë që të quajnë këtë përballje si një ndeshje e radhës në media, por që në fakt nuk është aspak e vërtetë.
“Derbi ka veçantin e saj pasi takohen dy ekipe shumë rivale, në fushë dhe jashtë fushës. Më veçanërisht jashtë fushe ku ndahen në dy ekipe. Është ndeshje derbi, festë në kryeqytet. Pavarësisht renditjes, kur zbret në fushë janë dy ekipe të barabarta. Tifozeritë kanë dhuruar spektakël gjithmonë, nga të dy ekipet. Po dëgjoja dhe deklaratat tani të lojtarëve dhe trajnerëve që thonë se është vetëm ndeshja e radhës. Në fakt jo, pasi vetë atmosferta e ngjallur gjatë gjithë javës të jep impakt tjetër si futbollist dhe mënyrës sesi stërvitesh. Është atmosferë tjetër, shumë e këndshme. Drejtuesit e ekipit nuk na ngarkonin shumë me atmosferën jashtë. Në kohën tonë sërish Partizani vinte nga rezultate jo të mira, ashtu si sot.
Mendoj se do të jetë një pikë kthese sot. Them se Partizani do të vijë shumë shpejt te rezultatet pozitive. Edhe gjatë javës e kam diskutuar me Rron Brojën, derbi të jep ndjesi tjetër dhe do të më pëlqente që të luaja në një impiant modern në “Air Albania”. Do të ndeshje shumë e luftuar dhe mendoj se Zhunior do ta zgjidhi derbin. Ibrahimi? Është kthyer në lider siç i ka hije, në kohët e vjetëra”, ka thënë Cuculi. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/