Reali mori një disfatë të turpshme ditën e sotme ndaj CSKA-së së Moskës, teksa në “Santiago Bernabeu”, u shkatërrua 0-3 nga ekipi rus. Pas sfidës, tekniku i “Los Blancos”, Santiago Solari, foli për mediat duke theksuar se CSKA u shfaq më e fortë se Reali, por dhe pranoi faktin se më shumë po shqetësohej për ndeshjen në fundjavë se sa për ndeshjen e sotshme.
NDESHJA – “Nuk kemi qenë të fortë as në zonën e kundërshtarëve tanë as në zonën tonë, ndërsa ata po. Pjesa dytë e jona ishte shumë e keqe. Kemi një ndeshje ndaj Vajekanos në fundjavë dhe kjo është ajo që na shqetëson”.
PARAQITJA – “Mendoj se ishim mirë, gjysëm orëshin e parë luajtëm mirë, por nuk arritëm të konkretizonim, nuk shënuam. Gjithashtu në zonën tonë nuk ishim të vëmendshëm dhe kjo gjë në Europë të dënon”.
EKIPI – “Pjesa e dytë nuk më pëlqeu, por më duhet ta pranoj që në ekip kam marrë shum lojtarë të rinj, gjë që na ka ndihmuar për të bërë rotacion dhe disa nga lojtarët të pushojnë. E kam të qartë që nuk kam një rrugë të shtruar me trëndafila, nuk na pëlqen rezultati, donim ta mbyllnim me një fitore dhe shpresonim që kështu do të ishte”.
VINICIUS – “Vini luajti mirë në fillimin e ndeshjes. Kishte momentet e tij. Duhet të jetë më i fortë. Çdo gjë e bukur apo e guximshme, duhet që të ketë forcë. Ata e kishin këtë gjë sot, ndërsa ne jo”, përfundoi Solari.