Maqedonia ka fituar me rezultatin 2 – 0 në transfertën ndaj Lihtenshtejnit. Enis Bardhi ishte një ndër protagonistët e mbrëmjes. Mesfushori tregoi edhe njëherë se është një ndër lojtarët më të mirë në planet përsa i përket goditjeve të dënimit, duke zhbllokuar takimin në minutën e 53-të.
Në formacionin e përfaqësueses fqinje, përveç Bardhit ishin dhe tre shqiptarë të tjerë, Ferhan Hasani, Visar Musliu dhe Egzon Bejtulai. Tani Maqedonisë i mjafton të paktën një barazim në ndeshjen e radhës ndaj Gjibraltarit për të siguruar vendin e parë në grup dhe ngjitjen në Ligën C.
Danimarka ka arritur të mund Uellsin vendas falë golave të Jorgensen dhe Breithueit. Falë kësaj fitoreje skuadra skandinave ka siguruar matematikisht vendin e parë në grup dhe rrjedhimisht ngjitjen në Ligën A. Ukraina e pësoi një humbje të thellë, 4 – 1 ndaj Sllovakisë, por skuadra e drejtuar nga Shefçenko e ka siguruar me kohë kreun e grupit dhe motivimi duket se u ka munguar në këtë transfertë.
Dy ndeshjet e Grupit 3 të Ligës C përfunduan me rezultat 1 – 1. Sllovenia barazoi me Norvegjinë, ndërsa Qipro me Bullgarinë, duke lënë gjithçka të hapur deri në takimin e fundit.