Kjo javë i rikthen skuadrat në fushë, ku pas përgatitjeve që kanë nisur në fillim të muajit janar do të jenë ndeshjet miqësore që mund tu japin stafeve teknike mundësinë e njohjes së gjendjes të individëve të afruar, por edhe të skuadrave në përgjithësi. Edhe pse Shqipëria është duke kaluar një mot të ftohtë dhe me rreshje dëbore, skuadrat e Kategorisë së Parë duket se e kanë sfiduar me përgatitje, ndërsa terrenet ku do të luhen janë nën pushtetin e reshjeve.
Dhe së pari, Lushnja e Flamurtari e kanë nisur përballjen miqësore mes tyre në orën 11:30, një ndeshje ku për të dyja skuadrat do të jetë test i “vjetër”, pasi nuk kanë asnjë lëvizje në merkaton e këtij muaji. Erzeni-Teuta duket miqësorja e “luksit” për Shijakasit, ku sot në 13:30 më shumë do të fokusohen te sulmuesi brazilian Almeida.
Po kështu edhe miqësorja Besa-Kastrioti, ku sot kavajasit testojnë pankinën e re me Gugash Maganin, por edhe tre përforcimet e reja të bëra gjatë këtij muaji. Pas miqësores të fituar 2-1 me Apoloninë në fundjavën e kaluar, Bylisi sot pret Orikun, skuadër që ende nuk ka folur në këtë merkato dimërore.
Nesër do të luhet miqësorja Vllaznia-Laçi, e cila pritet si një sfidë e Superiores, jo vetëm për historinë e shkodranëve në elitë, por edhe për situatën e mirë që Laçi po kalon mes skuadrave të kreut në renditje. Korabi e ka lënë për të premten miqësoren me Partizanin B, ndërsa Shënkolli ka ftuar të shtunën skuadrën e Vllaznisë U19.
Skuadrat e tjera ende nuk kanë bërë zyrtare miqësoret që kanë menduar të zhvillojnë, e gjithsesi, kjo panoramë e cila tregon se atmosfera e rinisjes të gjysmës së dytë të sezonit është e pranishme me mundësitë që ka çdo skuadër në këtë periudhë, do të jetë në fokusin e SportEkspres.com.
AGRON KAJA
Ndeshje miqësore
Sot, 9 janar 2019
Lushnja-Flamurtari 11:30
Besa-Kastrioti 13:30
Bylis-Orikumi 13:30
Erzeni-Teuta 13:30
Nesër, 10 janar 2019
Vllaznia-Laçi 13:30
Të premten, 11 janar 2019
Korabi-Partizani B 13:30
Të shtunën, 12 janar 2019
Shënkolli-VllazniaU19 13:30