Mançester Junajtid mori një fitore mjaft të rëndësishme mbrëmjen e kaluar në fushën e Juventusit, i cili shihet si një ndër pretendentët kryesor për të fituar Championsin. Përmbysja e bërë në minutat e fundit i dha akoma më shumë gëzim numrit një të pankinës së “djajve të kuq”, Zhose Murinjos.
Tekniku portugez në fundin e ndeshjes u drejtua nga tifozët e bardhezinjve, duke bërë gjeste sikur nuk po i dëgjonte, pasi doli fitimtar nga ndeshja. Lidhur me këtë gjest ka folur një legjendë e Mançester Junajtid, siç është Pol Skolls. Mesfushori ka thënë në mediat angleze që gjesti i trajnerit portugez nuk është i hijshëm dhe nuk tregon klas.
“Duhet të fitosh dhe me klas. Nuk mendoj se ka nevojë të bësh gjeste të tilla. Shtrëngo duart me trajnerin kundërshtar dhe duartrokit tifozët, kjo është mënyra më e mirë. Ishte e panevojshme, por Murinjo i tillë është. Nuk tregoi klas me atë veprim”, përfundoi fjalët e tij ish-mesfushori.