Skënderbeu pret sot San Zhulian e Andorrës dhe në teori pritet një fitore e lehtë dhe e thellë për korçarët. Trajneri Ilir Daja ka konfirmuar se formacioni i Skënderbeut do të jetë ai i ditëve të fundit. Skema do të jetë 4-3-2-1, teksa pritet shumë nga Latifi, Gavazaj dhe sulmuesi malazez, Goran Vujoviç. Xhejms Adeni mësohet se sot do të jetë në fushë, por në pjesën e dytë, siç pritet të debutojë po në pjesën e dytë edhe Afrim Taku.
Formacioni i mundshëm i Skënderbeut, 4-1-2-3
Skënderbeu: Shehi – Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici – Osmani – Shkodra, Lilaj – Gavazaj, Latifi – Vujoviç
Andorrasit: Duam fitore, edhe pse luajmë për qejf
Stafi teknik i ekipit nga Andorra shtyp ka befasuar dje në Korçë, duke thënë se ka ardhur për të bërë surprizën në Korçë. Gjatë konferencës për shtyp, trajneri Luis Blanko ka treguar se të gjithë lojtarët kanë edhe nga një profesion tjetër, përveç futbollit, ndërsa buxheti i klubit është vetëm 350 mijë euro, sa dy futbollistë të Skënderbeut. Ja çfarë tha Blanko dje në konferencën për shtyp: “Kemi bërë një udhëtim shumë të gjatë, që do të ndikojë në fushë, por kemi ardhur të bëjmë një paraqitje pozitive dhe të marrim rezultat të favorshëm. Lojtarët e mi luajnë për hobi, janë të profesioneve të ndryshme. Dikush punon në ndërtim, dikush inxhinier, studentë, bankierë dhe kuzhinierë. Buxheti ynë është shumë i vogël, 350 mijë euro në sezon, por kjo nuk na pengon për të pasur ambicie. Shqipëria, në bazë të rritjes në futboll, por edhe Skënderbeu, na shërben si shembull për atë çka duam të arrijmë në të ardhmen. Në Andorrë kemi mësuar diçka për Skënderbeun kur u hodh shorti, madje mund t’u themi se ju keni lojtarë shumë të mirë, si Liridon Latifi dhe kapitenin Orges Shehi. Dimë edhe që sapo ju hoqën një titull kampion. Pavarësisht se keni një ekip shumë të mirë, ne kemi ardhur për fitore.”
Veç të tjerash, trajneri Blanko ka qenë mjaft miqësor në sallën e konferencave të shtypit, duke bërë edhe batuta me gazetarët, teksa ka zbuluar edhe profesionin e tij, atë të taksistit. Po ashtu, disa ditë në javë punon edhe mësues në një kolegj. Ai nuk ka nguruar të falënderojë klubin e San Julias, që u siguron edhe punë futbollistëve.