Skënderbeu në sulm, pranë talentit të Levskit

Klubi korçar është në kërkime të ethshme për një sulmues cilësor, por edhe të ri në moshë. Alternativa më bindëse vjen nga Bullgaria, por ka një pengesë

Skënderbeu ka kohë deri nesër në mbrëmje që të mbyllë të paktën një operacion në merkato dhe të gjitha forcat e klubit janë përqendruar në sulm. Klubi korçar ka në dispozicion sulmuesin nga Gambia Ali Soue, por edhe Xhejms Adenijin e Sebino Plakun, me këtë të fundit që ende nuk e ka vendosur nëse do të vazhdojë në Korçë, pasi marrëdhëniet e tij me trajnerin Ilir Daja janë “të ngrira”. Me 3 sulmues në dispozicion, ose ndoshta edhe me dy, është e qartë që në Korçë duan përforcim urgjent, duke pasur parasysh kalendarin e ngjeshur deri në janar. “Sport Ekspres” mëson se pista në të cilën ka punuar me këmbëngulje ditët e fundit klubi është nga kampionati bullgar, nga Levski.

ADENIJI – Quhet Babatunde Adeniji, është vetëm 21 vjeç dhe është që tani pjesë e kombëtares së Nigerisë. Sulmuesi me të njëjtin mbiemër si Xhejms luan për Levskin e Sofjes, që e solli në Europë në fillim të vitit 2016, nga klubi nigerian Sunshine Stars. Qendërsulmues, por i aftë të luajë edhe në krahët e sulmit, Tunde Adeniji ka impresionuar në Bullgari. Në muajt që shkoi në provë bindi të gjithë dhe klubi bullgar firmosi një kontratë afatgjatë me të. Sezonin 2016/2017 Adeniji shpërtheu: 9 gola në 41 ndeshje në të gjitha kompeticionet, por edhe 7 asiste dhe mbi të gjitha një lojë fantastike, duke u bërë pikë referimi për nënkampionët e Bullgarisë. Megjithatë, Levski nuk është klub i pasur dhe shpreson që të shesë lojtarë çdo verë, ndaj Adeniji është një prej të piketuarve. Nigeriani ka refuzuar ofertat e ardhura drejt tij dhe pasi luajti 4 ndeshje në Europa League këtë verë, është nxjerrë jashtë skuadre, së bashku me sulmuesin ganez Fransis Narh, edhe ky një nga lojtarët më të spikatur sezonin e shkuar. Trajneri i ri Delio Rosi ka marrë urdhër nga klubi që të mos i përdorë dy futbollistët, të cilët duhen shitur me çdo kusht deri nesër.

SKËNDERBEU – Klubi korçar ka studiuar shumë emra javët e fundit dhe Babatunde Adeniji është emri që është pëlqyer më shumë, jo vetëm për cilësitë e tij, por mbi të gjitha për moshën. Është vetëm 21 vjeç dhe kjo do të thotë që për një ose dy vite, nëse gjithçka ecën mirë, Adeniji do të vlejë qindra mijëra euro. Levski në këtë moment, e vënë nën presion të madh nga merkatoja që po mbyllet, ka rënë dakord për 150.000 euro. Problemi madhor i Skënderbeut është futbollisti, i cili kërkon një rritje të konsiderueshme page. Skënderbeu i ofron thuajse të njëjtën pagë si në Bullgari, me premtimin e rritjes graduale në varësi të rendimentit, por nigeriani ka refuzuar prerë, duke kërkuar të bëhet futbollisti më i paguar në Shqipëri, pak a shumë si Salihi deri vjet. Kjo ka stepur drejtuesit e Skënderbeut, që janë gati të paguajnë, por për lojtarë me CV më të pasur dhe eksperiencë më të madhe. Orë vendimtare, deri nesër duhet të vendoset gjithçka: nëse Adeniji ul pretendimet dhe Skënderbeu shton ofertën, Levski është gati të mbyllë gjithçka dhe do të regjistrohej blerja më e bujshme në historinë e Superiores, sepse asnjëherë ndonjë klub nuk ka paguar kaq shumë për një futbollist.

SKEDA

Emri: Babatunde Adeniji

Kombësia: Nigerian

Ditëlindja: 17 shtator 1995

Karriera

2012–2013 Rising Stars (16 ndeshje/7 gola)

2013–2016 Sunshine Stars (71 ndeshje 42 gola)

Shkurt 2016- Levski (58 ndeshje/9 gola)

Kombëtare

2016- Nigeria

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online