Skënderbeu do të grumbullohet në datën 7 qershor dhe vetëm një ditë më pas do të udhëtojë drejt Sllovenisë, ku do do të qëndrojmë 15 ditë. Faza përgatitore përfundon në datën 22 qershor, për të vijuar më pas në Korçë përgatitjet për ndeshjen e parë.
Edhe pse nuk është ende zyrtare nga ana e klubit korçar, zbulohet miqësorja e parë e Skënderbeut gjatë ditëve të qëndrimit në Rogaska të Sllovenisë. Burime pranë drejtuesve bëjnë me dije se bardhekuqtë vetëm një javë pasi të kenë mbërritur në Slloveni do të vihen përballë ekipit hungarez të Videotonit. Ky test i parë pritet që të luhet më datë 15 qershor. Në shtatë ditët e para konfirmohet se Skënderbeu do të zhvillojë vetëm dy stërvitje në ditë dhe pas kësaj date do të fillojnë edhe miqësoret.
“Sport Ekspres” një ditë më parë zbuloi fazën përgatitore të bardhekuqve, teksa do të jetë Ragoska, qytet që për herë të parë do të presë skuadrën korçare pjesëmarrëse këtë verë në Europa League. Burime pranë drejtuesve të skuadrës, bëjnë të ditur që Videotoni, deri tani është kundërshtari i parë, por nuk përjashtohet mundësia që të kemi edhe ndonjë ndryshim në ditët në vazhdim.
Gjithsesi, Skënderbeu dhe drejtuesit kanë menduar që të përballen në këtë fazë 15 ditore përgatitore në Slloveni me ekipe që marrin pjesë në kupat e Europës. Njëri prej tyre është edhe Videotoni, nënkampionia e Hungarisë që këtë verë do të marrë pjesë në Europa League, atje ku do të marrin pjesë edhe korçarët. Madje, klubi hungarez ndodhet vetëm 7 vende sipër Skënderbeut në renditjen sipas koefiçentit, pasi ka një koefiçent prej 8.650 dhe korçarët vetëm 6.825.
Është e sigurt që në raundin e parë dhe ndoshta edhe të dytë Skënderbeu, nuk mund të përballet me Videotonin, për shkak se do të jenë në vazon e parë, ndërkohë që në turet e mëtejshme edhe mund të përballen. Pas Videotonit pritet që të zbulohen edhe miqësoret e tjera, pasi u tha edhe një ditë më parë që do të jenë 3-4 të tilla. Skënderbeu do të qëndrojë në Rogaska të Sllovenisë nga data 8-22 qershor, ndërkohë që ekipi do të zhvillojë seancën e parë në datën 7 qershor, ku do të gjithë duhet të jenë në Durrës dhe një ditë më vonë do të udhëtojnë në drejtim të Sllovenisë për të vijuar atje përgatitjet.