Situata te korçarët: Ja kush mund të largohet apo të shitet nga kampionët! Sabjen Lilaj, me 90%, firmos me Skënderbeun, pastaj mund të shitet jashtë
Leonard Trebicka
Korçarët e mbyllën sezonin në mënyrën më të mirë, duke fituar edhe Kupën e Shqipërisë. Tani kanë filluar pushimet, por nuk dihet nëse do të jenë pushime të gjata, apo pushime të shkurtra. Kjo varet nga vendimi që do të merret në lidhje me pjesëmarrjen e ekipit korçar në Champions League apo jo. Kjo çështje mban pezull edhe shumë çështje të tjera te Skënderbeu dhe askush nuk di të thotë ç’do të bëhet në të ardhmen. Kush do të largohet? Afrimet? Kur do të firmosë Daja? Po huazimet? Këto pyetje duhet e edhe pak kohë të marrin përgjigje. Deri fundjavën e ardhshme do të ketë shumë fjalë dhe asgjë më shumë se kaq.
5 QERSHORI – Brenda datës 5 qershor Skënderbeu do të marrë një përgjigje zyrtare nga CAS-i, pasi e çuar kërkesën për pjesëmarrje në Champions League. Data 5 qershor është afati i fundit dhe Skënderbeu pret një përgjigje pozitive. Presidenti Takaj, trajneri Daja, lojtarët dhe tifozët do të presin me ankth edhe këto ditë. Deri më 5 qershor, Skënderbeu është me pushime, me sy e veshë nga CAS-i. Në klubin korçar kanë shumë besim se do të luajnë në Champions, por tani fjalën e ka CAS-i.
LARGIMET – Nga Skënderbeu sigurisht që do të ketë largime, por për momentin nuk mund të thuash me siguri se kush do t’u japë lamtumirën korçarëve. Sigurisht, i pari është Orges Shehi, i cili do të vendosë për të ardhmen pas 5 qershorit, prandaj kjo datë është kaq e rëndësishme. Shehi e tha troç se ndeshje finale e kupës iusht e fundit për të, por sërish la një mundësi për të luajtur edhe në Champions. Nëse Skënderbeu nuk gjen portier për Europën, durrsaku mund të sakrifikojë edhe këtë verë. I dyti që mund ta mbyllë me Skënderbeun, është Marko Radas. Kroati, me përfundimin e kontratës, mund të kalojë në staf, për shkak të moshës, por edhe për të mund të jetë vera e fundit, gjithmonë nëse Skënderbeu luan në Champions. Për të kaluar te Vangjeli, i cili ndodhet në të njëjtën situatë me kroatin. Mosha bën punën e vet, por për Vangjelin ka zëra që mund të kthehet në Greqi, pranë familjes së tij. Por edhe për të duhet pritur 5 qershori.
LILAJ – Është padyshim futbollisti më i përfolur te Skënderbeu për momentin, pasi i ka përfunduar kontrata, por Sabjen Lilaj së pari është i angazhuar me Kombëtaren kuqezi. Kontrata me Skënderbeun mbyllet në fund të këtij muaji dhe ka zëra që e çojnë mesfushorin në Itali apo edhe gjetkë. Burime pranë klubit bëjnë me dije se Lilaj, me 90% të mundësive, nëse Skënderbeu luan në Champions, do të firmosë së pari me këtë ekip. Duke parë më pas paraqitjen në Champions, Sabjeni mund të shitet, por te Skënderbeu janë të bindur se ai do të qëndrojë te kampionët. Presidenti Takaj e do patjetër bardhekuq.
SHITJET – Skënderbeu do të ketë largime, afrime, por do të ketë edhe shitje, që do të jenë me “pikatore”, pasi baza e skuadrës do të ruhet, kjo është e sigurt. Për momentin lakohen shumë emra lojtarësh, që mund të shiten nga Skënderbeu. Nëse skuadra nuk merr pjesë në Champions, shitjet do të jenë të shumta, sepse më pas do të presë shumë muaj për vendimin e fundit të CAS-it, kurse nëse skuadra luan në Europë, shitjet do të jenë të pakta. Enis Gavazaj është emri më i lakuar për t’u shitur nga Skënderbeu. Gavazaj mund të shkojë në Kroaci, apo Austri, por edhe për të nuk ka asnjë gjë të sigurt për momentin. Gledi Mici dhe Xhejms Adeni janë dy emra të tjerë në listën e lojtarëve, për të cilët ka oferta nga jashtë. Ka edhe lojtarë të tjerë që mund të shiten, por në këtë moment ka vetëm hipoteza, sepse data 5 qershor është vendimtare. Deri atëherë kjo skuadër mbetet në “ajër”.
Lojtarët që mund të largohen
Orges Shehi (lë futbollin)
Marko Radas
Kristi Vangjeli
Sabjen Lilaj (pa kontratë)
Lojtarët që mund të shiten
Enis Gavazaj
Gledi Mici
Xhejms Adeni