Mbyllet viti 2017 për sa i përket futbollit në Kategorinë Superiore, që pas 16 javëve të para ka konfirmime dhe surpriza të mëdha.
Është sezoni i Skënderbeut, pa asnjë dyshim, që kryeson me 37 pikë në 16 ndeshje, duke qenë kampion dimri me meritë të plotë.
Nuk është sezoni i Kukësit, që ka vetëm 25 pikë dhe ka zbritur ndjeshëm me një vit më parë, ashtu si Partizani, që gjithsesi ka vetëm 4 pikë më pak se para një viti.
Është edhe sezoni i Flamurtarit dhe Laçit, sepse janë në vendin e dytë dhe të tretë, në një kohë që vjet në këtë kohë ishin dy pikë larg zonës së ftohtë, me vetëm 14 pikë!
Luftëtari ka vetëm 2 pikë më pak se vitin e shkuar dhe duke parë si është parqitur kohët e fundit, si dhe vjedhjet e arbitrave në disa ndeshje, mirë është që të mos thuhet se ka pësuar rënie nga sezoni i shkuar.