Skënderbeu ka zhvilluar sot miqësoren e fundit në Slloveni, këtë radhë kundër Domzhales, ekipi më i fortë nga ata që ka pasur përballë në këtë fazë përgatitore.
Sot korçarët barazuan 2-2, në një ndeshje ku treguan karakter, duke reaguar në pjesën e dytë dhe duke përmbysur disavantazhin e dy golave.
Që në 15 minutat e para Domzhale shënoi dy herë dhe evidentoi gjithë problemet e Skënderbeut, që është ende larg formës optimale dhe ka nevojë që të integrohen edhe afrimet e reja. Shkodran në mesfushë e Vujoviç në sulm e nisën titullarë, por të dy janë larg formës së plotë fizike.
Sabien Lilaj nisi kthesën, duke shkurtuar në minutën e 55-të me penallti, ndërsa Plaku afër fundit të takimit, në të 89-tën barazoi shifrat në 2-2.
Një barazim me vlerë për nga mënyra si erdhi, por sërish shumë defekte dhe trajneri Daja mund të jetë paksa i shqetësuar.
Domzhale – Skënderbeu 2-2
Shënues: Dobrovoljc 7′, Firer 14′ / Lilaj 55′ pen., Plaku 89′
Formacioni titullar i Skënderbeut: Shehi, Mici, Jashanica, Radas, Vangjeli, Lilaj, Osmani, Shkodra, Gavazaj, Latifi, Vujoviç (U aktivizuan edhe Dita, Nimaga, Abazi, Çitiza, Gripshi, Plaku)