Skënderbeu, akord me kampionin malazez Vujoviç

 

Goditja e tretë vjen nga Mali i Zi. Lojtari i Buduçnostit pranon ofertën e korçarëve dhe sot i bashkohet ekipit. Mbërrin në Slloveni edhe një sulmues boshnjak

Leonard Trebicka

Pas shumë emrash dhe fjalësh, që kanë qarkulluar orët e fundit për sulmin e Skënderbeut, dje në mbrëmje është mësuar edhe goditja e radhës. Bëhet fjalë për futbollistin nga Mali i Zi, Goran Vujoviç. 30-vjeçari sot pritet të mbërrijë në kampin slloven të Rogansakës, ku janë akomoduar korçarët. Prej disa ditësh ky futbollist ishte kontaktuar nga drejtuesit korçarë dhe mësohet se Vujoviç ka arritur në parim akordin me Skënderbeun. Thuajse është mbyllur marrëveshja dhe burime pranë klubit bardhekuq bëjnë me dije se sulmuesi malazez është pëlqyer nga trajneri Daja, i cili ka dhënë “ok”-in. Tashmë mbetet që lojtari në fjalë të bëjë prezantimin. Gjatë këtyre ditëve do të vijnë provë shumë lojtarë, por Goran Vujoviç do të mbërrijë sot për të firmosur me Skënderbeun. Karriera e këtij futbollisti është e pasur, pasi ka luajtur në 11 skuadra dhe së fundi ka qenë pjesë e Buduçnostit. Vujoviç ka shënuar 12 gola në kampionatin e fundit me Buduçnostin, duke luajtur gjithsej 2736 minuta. Korçarët i ka bindur përvoja e tij, pasi në të kaluarën ka qenë edhe pjesë ë kombëtares U-21 të Malit të Zi, por ka një ndeshje edhe me Kombëtaren e madhe. Në karrierën e tij, Vujoviç ka shënuar 74 gola, ku më i suksesshëm ka qenë në sezonin 2014-2015, kur me fanellën e Sutjeskës ka realizuar 21 gola. Sot, pas mbërritjes në Slloveni, Goran Vujoviç do të bëjë prezantimin, me shumë gjasa, nga menaxheri i përgjithshëm i Skënderbeut, Gerhard Takaj. Ndoshta pasdite mund të luajë në miqësoren ndaj Videotonit. Pas Donjet Shkodrës dhe Bruno Ditës, Goran Vujoviç duket e do të jetë blerja e tretë zyrtare e Skënderbeut.

SULMI – Por asgjë nuk mbyllet me kaq për sulmin e korçarëve. Përveç Goran Vujoviçit, që mbërrin sot, te Skënderbeu priten edhe sulmues të tjerë. Madje, flitet se goditja e madhe e sulmit nuk është bërë ende. Skënderbeu kërkon një sulmues race, ndërkohë që alternativë është edhe Haris Nanxhiç, 26-vjeçari boshnjak që mund të bëjë punë me shtatlartësinë e tij. Burime pranë presidentit Ardjan Takaj shprehen se lojtari tjetër sulmues do të jetë me vlerë të lartë financiare dhe patjetër do të jetë ai që do të udhëheqë sulmin e Skënderbeut. Takaj nuk do të kursehet për sulmin dhe po shihen shumë alternativa. Po ashtu, do të ketë përforcime edhe në mesfushë, ku duhet një lojtar organizator, por nuk ka ende diçka konkrete. Skënderbeu sot do të zyrtarizojë Goran Vujoviçin, përforcimin e radhës dhe të parin për sulmin, por afrimet sigurisht që do të vazhdojnë.

BOSHNJAKU – Në Slloveni ka mbërritur dje edhe një sulmues i ri nga Bosnjë Hercegovina, i cili do të testohet nga trajneri Ilir Daja. Nuk janë dhënë detaje për këtë lojtar, përveç faktit që është i ri në moshë dhe, ndryshe nga malazezi Vujoviç, do të jetë në provë te korçarët.

Skeda

Emri: Goran Vujoviç

Datëlindja: 3.05.2017

Vendlindja: Cetinje, Mal i Zi

Pozicioni: Sulmues

Gjatësia: 1.79 m

Pesha: 73 kg

Karriera:

Videoton (Hungari), Keckemeti, Szombathelyi (Hungari, i huazuar), Lovçen, Mogren, Sutjeska (Mal i Zi), Arsenal Tula (Rusi), Buduçnost (Mal i Zi)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *