Skënderbeu, 5 ditë kohë për sulmuesin e “ëndrrave”

0

Burime pranë presidencës korçare bëjnë me dije se janë dy alternativa dhe vendimi do të merret para ndeshjes së kthimit në Andorrë

Leonard Trebicka

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, theksoi para pak ditësh se i duhet medoemos një sulmues me nivel të lartë dhe mbi të gjithë në formën e duhur sportive, që Skënderbeu të ketë sukses në Europë. Dhe në Korçë shumë shpejt do të mbërrijë sulmuesi i shumëpërfolur.

Ai do të bashkohet me korçarët para ndeshjes së kthimit të Europa League në Andorrë. Në ndeshjen e parë me San Julian ekipi vuajti shumë dhe drejtuesit tashmë kanë shtuar përpjekjet për të sjellë te Skënderbeu sulmuesin e “ëndrrave”. Pas asaj ndeshjeje, ku nuk u shënua më shumë se nj gol, mësohet se ka pasur një takim mes stafit teknik dhe presidencës.

Presidenti Ardjan Takaj duket se e ka gati sulmuesin, që kërkon trajneri Ilir Daja. Malazezi Goran Vujoviç mund të ketë zhvilluar një ndeshje pozitive në debutimin zyrtar me Skënderbeun, por nuk është ai sulmuesi, i cili do të bëjë liderin e repartit dhe njëkohësisht të ekipit. Në fakt, Skënderbeu e priste prej disa javësh një sulmues, por nuk ka mundur ta finalizojë marrëveshjen.

Trajneri Daja ka këmbëngulur dhe klubi po punon shumë, në mënyrë që sulmuesi të mbërrijë në ekip brenda pak ditësh, para ndeshjes me San Julian. Nëse vjen, nuk do të jetë në fushë si titullar, por do të ketë mundësi të shohë lojën e ekipit, për të qenë gati në turin e dytë për sfidat me kazakët e K.Almatit. Te Skënderbeu ka lëvizje të mëdha orët e fundit dhe nga momenti në moment sulmuesi do të vijë. Trajneri Daja nuk jep detaje në lidhje me këtë lojtar të shumëpritur në Korçë, por kuptohet që me ardhjen e tij skuadra do të jetë e kompletuar.

ALTERNATIVAT – Te Skënderbeu e presin me padurim futbollistin, i cili do të zërë vendin e lënë bosh nga Salihi. Burime pranë gazetës bëjnë me dije se ka pasur shumë alternativa ditët e fundit, por që tashmë janë “filtruar” në dy. Nga 4-5 futbollistë, që janë studiuar prej kohësh, janë zgjedhur dy alternativa dhe tashmë mbetet të merret vendimi final, se cili prej tyre do të veshë fanellën e Skënderbeut. Janë lojtarë të huaj dhe shumë të kushtueshëm, ndaj dhe vendimi nuk është aspak i lehtë. Për njërin nga sulmuesit thuhet se është kroat, por nga drejtuesit e klubit është shumë e vështirë të merret informacion i saktë. Trajneri Daja i di të dyja alternativat, por edhe ai e ka të vështirë t’i bëjë publike ato. Ka vendosur të flasë vetëm kur çdo gjë të jetë mbyllur dhe sulmuesi i huaj të udhëtojë drejt Shqipërisë. E rëndësishme është që përforcimi me koston më të lartë të Skënderbeut do të vijë para ndeshjes në Andorrë dhe korçarët do të kenë në gjirin e tyre në turin e dytë të Europa League. Stafi teknik ka kërkuar që sulmuesi të ketë më shumë ditë në dispozicion për t’u përshtatur me pjesën tjetër të skuadrës, për të qenë titullar ndaj kazakëve. Vujoviç me siguri do të jetë në stol, nëse ndodh kështu, pasi Daja nuk mund të rrezikojë në ndeshjet europiane, duke luajtur me dy sulmues. Edhe 5 ditë kanë mbetur deri në ndeshjen e kthimit me San Julian dhe deri atëherë pritja për sulmuesin do të ketë marrë fund.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.