Behar Ramadani, kapiteni i Luftëtarit, analizon nisjen e kampionatit. Mesfushori shkodran pranon që lëvizjet e bëra në ekip kanë pasur ndikimin e vet, por edhe gabimet në mbrojtje e në sulm i kanë penalizuar.
Gjirokastritët janë mundur nga Kastrioti, Laçi dhe Flamurtari në tre ndeshjet e para të kampionatit. Në këtë mënyrë ata renditen në vendin e fundit klasifikim.
“Nuk ka justifikime për rezultatet, por nuk di të jap një përgjigje të saktë se pse nuk kemi marrë akoma pikë. Janë disa gjëra që kanë ndikuar. Largimet na kanë prishur punë. Afrimet janë cilësorë, por duan kohë të ambientohen. Kemi pasur edhe mungesë fati, pasi kemi luajtur futboll. Disa gabime individuale tonat, si në mbrojtje ku kemi pësuar golat, por edhe para kemi gabuar. Nuk kemi realizuar”, ka thënë mes të tjerash lojtari i Luftëtarit në “RTSH Sport”.
Gjithsesi optimizmi nuk mungon: “Pavarësisht rezultateve, kjo na ka bërë të ulim kokën e të rregullojmë gabimet. Po përmirësohemi, kemi treguar gjatë ndeshjeve se jemi në rritje. Nuk mund të jemi të gëzuar, pasi nuk kemi marrë pikë në tre ndeshje. Të gjithë duhet të japim maksimumin për të dalë nga kjo situatë”.
Në fundjavë Luftëtari luan në transfertë kundër Tiranës, klub që gjithashtu ka hasur vështirësi në tre javët e para. “Ndeshja me Tiranën është shumë e rëndësishme, si të gjitha në fakt, pasi nuk ka ndeshje jo të rëndësishme. kjo ka shumë rëndësi, pasi nëse marrim rezultat pozitiv do thyenim atë akullim që presim ta thyejmë javë pas jave. Besoj se ekipi është gati”, përfundoi Behar Ramadani.