Sokol Kushta është një figurë shumë e shquar e futbollit shqiptar dhe atij vlonjate, pasi në karrierën e tij si futbollist ka qenë ndër më të mirët. Legjenda e futbollit ka folur sot për “RTSH Sport”, ku ka kritikuar ashpër personat që nuk miratojnë ligjin për sportin, si dhe ka mbrojtur administratorin e Flamurtarit, Sinan Idrizi.
Mes të tjerash, Kushta u shpreh: “Çdo gjë fillon të ligji, pastaj secili zotëri që është në biznesin e vet, jep aq sa ka mundësi, falimenton kur nuk ka, ashtu si e gjithë bota.
Ne duhet ta shikojmë pak më gjerë, jo pse dhe si u vonuan lekët, jo pse nuk u bë faza përgatitore. Këto janë disa shprehje që për mua, janë shumë të gabuara.
Duhet kapur thelbi. Thelbi është ky: Po mbahet peng ligji për sportin. Pse nuk iu jep të drejtën ligjore atyre presidentëve që duan të investojnë për sportin shqiptar?
Unë Idrizin nuk e quaj fenomen negativ. Është një person që ka dhënë miliona euro për Flamurtarin. Shumë thonë që kishte, prandaj i dha. Donte, prandaj i dha. Jo zotëri! Shikoni anën pozitive. Ai erdhi te Flamurtari se besonte te rregulli. Mbase dhe Idrizi do të lodhet një ditë nga kjo situatë.
Shumë njerëz kapin anën sipërfaqësore, anën më të padukshme, që për mua është ligji për sportin. Çdo gjë fillon me ligjin dhe mbaron me ligjin. Sot për sot, të gjithë duhet të kenë ligjin e tyre. Ajo që dua të them është se është detyrë e parlamentit shqiptar për këtë ligj.
Nuk e di pse Fidel Ylli nuk e kalon në parlament ligjin për sportin. Lekët e presidentëve duhet të jenë të mbrojtura me ligj”,- u shpreh figura e shquar e futbollit vlonjat.