Në llogarinë e FSHF-së, më së fundi del mbi sipërfaqe. Kastrati, Aleks Uillian dhe Muzaka çështjet në proces. Synohen sërish negociata me Seferin
Fundi i këtij sezoni futbollistik pa asnjë diskutim që ka qenë më i dhimbshmi nga pikëpamja sportive për klubin e Tiranës në gjithë historinë e tij, megjithatë më së fundi pas disa vitesh financat bardheblu janë drejt stabilizimit dhe sidomos nga pikëpamja e shlyerjes së detyrimeve qartësisht ka hapa të rëndësishëm përpara.
Viti 2014
Në fund të këtij viti aksioneri kryesor Refik Halili vendosi që të merrte shumicën e aksioneve të shoqërisë aksionere – 66% të tyre – dhe në kontratën me institucionin ishte vendosur që 66% e detyrimeve të së shkuarës, pavarësisht se kush i krijuar, do ‘i paguante Halili, ndërsa pjesën tjetër bashkia e Tiranës. Që nga ai moment, borxhet e së shkuarës por dhe të së tashmes mbinë si kërpudha dhe sidomos një vit më parë klubi ishte në vështirësi të madhe likuiditeti, në një situatë absurde dhe në letër të pashërueshme nga ana financiare.
FSHF
Në momente të caktuara Tirana kërkoi ndihmën e federatës për të zgjidhur çështjet financiare. Disa nga borxhet e së shkuarës u shlyen me kreditin e FSHF-së, ndërkohë që Tirana sipas akordit nuk do përfitonte të drejtën televizive, fondin e solidaritetit, apo dhe të ardhurat shtesë që vinin në klub. Në një rakordim final të para disa ditëve me institucionin e futbollit, Tirana mesa duket ka marrë frymë. Të ardhurat në federatë janë rreth 262 mijë euro, ndërsa borxhi është rreth 220 milionë lekë të vjetra. Më së fundi, Tirana ka dalë “me plus” në llogarinë e federatës.
Borxhet
Ende nuk janë shuar borxhet në masën 100%. Në proces likuidimi është futbollisti Aleks Uilllian, që luajti dy sezone më parë, ndërkohë që në të njëjtin proces është edhe çështja Kastrati dhe detyrimi kundrejt Panathinakosit. Pritet dhe vendimi për Muzakën, por me shumë gjasa shumë shpejt vendimi do t’i japë të drejtë sportistit dhe gjithsesi Tirana duhet të paguajë për të.
Momenti
Fundi i këtij sezoni po përkon dhe me mbylljen e likuidimeve të lojtarëve për këtë vit. Shuma totale e papaguar ndaj grupit të lojtarëve në këtë edicion është diçka te 60 milionë lekë të vjetra, ose 10% më pak se buxheti sezonal i rrogave. Kjo shifër mendohet të likuidohet deri të martën, përpara nisjes në Izrael.
Vera
Shitja e 3 lojtarëve kryesore dhe sidomos e Mervejlit patjetër që do të rriste shëndetin e financave. Nga shitja e Mervejlit parashikohet të mbulohet buxheti i gjithë rrogave për Tiranën e Kategorisë së Parë. Të ardhurat këtë vit do jenë më të ulta, për shkak të faktit që nuk merr para nga e drejta televizive, dhe nga fondi i solidaritetit.
Seferi
Borxhi Seferi nuk llogaritet si i humbur në gjykatën sportive, megjithatë duhet zgjidhur një herë e mirë. Mendohet që palët të kenë më së fundi një takim konfidencial për të diskutuare mbi idenë e arritjes së një konsensusi mes palëve.