Para se të mbyllej kampionati i fundit, mesfushori Edon Hasani mbylli marrëdhëniet kontraktuale me Kukësin, ekipin që u shpall kampion. Menjëherë për të dolën në skenë emra skuadrash të ndryshe, që duan ta kenë në gjirin e tyre mesfushorin shkodran, por ambiciet e Hasanit janë për të treguar vlerat e tij në një kampionat të huaj.
Për të duket se janë të interesuara aktualisht skuadra të kampionatit çek dhe atij polak. Madje, bëhet fjalë për gjigantët çekë të Spartës së Pragës, që kanë vlerësuar aftësitë e shkodranit dhe duan ta afrojnë në skuadër. Rolin e “shkesit” në këtë rast duket se po e bën sulmuesi i Kombëtares kuqezi, Bekim Balaj, i cili më parë ka veshur fanellën e Spartës së Pragës, por edhe të Sllavias. Do të ishte një transferim vërtet i bujshëm, nëse do të realizohej, sepse bëhet fjalë për një skuadër me emër në futbollin europian. Por oferta për mesfushorin e qendrës ka edhe nga kampionati polak. Nuk jepen shumë detaje në këtë drejtim, por duket se bëhet fjalë për skuadra si Jagellonia apo edhe Leh Poznan, edhe këto skuadra me emër, që bëjnë pjesë në elitën e futbollit polak.
OFERTA SUPERIORE – Kur Hasani shkëputi marrëdhëniet me Kukësin, ekipi i parë që shfaqi interes për të, ishte Skënderbeu. Kjo pistë mbetet ende e hapur, ndërkohë që dhe Partizani dhe Vllaznia duan të rrëmbejnë mesfushorin shkodran. Ofertat nga kategoria Superiore janë konkrete për të, por për momentin objektivi është për të nënshkruar me një skuadër të huaj. Edon Hasani e ka nisur karrierën te Vllaznia, më pas ka kaluar në kampionatin bullgar dhe atë rumun, për t’u kthyer në Shqipëri, konkretisht te Kukësi, ku ka pasur disa sezone të suksesshme. Tani është radha e një tjetër aventure të huaj për këtë futbollist dhe Çekia dhe Polonia janë dy pistat më të mundshme për momentin.