Kur gjërat shkojnë në keq, ankohu, bërtit, akuzo! Kështu funksionon në futbollin shqiptar, por pakkush del si burrat dhe thotë: “Po, ne gabuam, e merituam humbjen”.
Dje e bëri Armando Cungu dhe meriton komplimente, sepse nuk u mor fare me arbitrin, me fushën, me erën, kundërshtarin apo cdo gjë tjetër që mund të shërbejë si justifikim.
Trajneri shkodran e tha troç: ” Ekipi nuk po paraqitet në të njëjtin nivel. Pjesa e parë ishte e dobët, në të dytën diçka më ndryshe, patëm raste dhe shpërdoruam.
“Më shumë kemi folur në media, se në fushë, ndërsa ekipet e tjera nuk i kam dëgjuar të dalin me flamur që të thonë ‘dalim kampionë’. Partizani, edhe pse i pari, nuk flet. Ka disa afrime që nuk kanë ritmin e duhur. Afrimet nuk janë ambientuar me ekipin, që e ndërtuam me mund e me djersë. Janë shumë prurje: Teqja, Rrumbullaku, Shkurtaj, por edhe Rrumbullaku, që është bashkuar më vonë me ne. Prishëm fizionominë e lojës për momentin. Në futboll nuk fitohet me çdo kusht”.
Këto ishin fjalët e Cungut menjëherë pas ndeshjes, por duket se drejtuesit e klubit e shohin ndryshe dhe publikimi i tre rasteve për moviolë duket si një alibi për të justifikuar disfatën dhe faktin që titulli duket më larg se kurrë këtë sezon.
Edhe sikur tre rastet të kenë bazë dhe të shërbejnë si akuzë ndaj gjykimit, janë nga ato raste që hanë debat dhe nuk hapësirë për paragjykim ndaj arbitrit, aq më shumë që njëri rast, ai ku pretendohet se Ngoo është pozicion jashtë loje, është futur kot, pasi anglezi është në pozicion mëse të rregullt kur Tirana shënon.
Këtë sezon është ankuar më shumë nga të gjithë Flamurtari, si zakonisht, por vlonjatëve nuk ua vë kush veshin, janë të njerkës. Ndoshta ankesat e Kukësit do japin rezultate, të shohim ndeshjet e ardhshme, sepse përveç justifikimit, mund të jenë edhe një mënyrë presioni ndaj arbitrave, që bien shpejt pre e akuzave, sidomos kur këto vijnë nga klubet “big”.