Pas 63 ditëve me pushime nga përfundimi i sezonit të kaluar më 18 maj, skuadra e Turbinës sot ka dhënë sinjalin e rififillimit të përgatitjeve të saj për sezonin e ri. Këtë lajm, për SportEkspres.com e bëri publik trajneri Sinan Bardhi, i cili deklaron se në datën 20 korrik do të mblidhet skuadra e do të nisin përgatitjet.
E veçantë është se duke mos patur prurje të reja, tekniku deklaron se më shumë do mbështeten te elementi i ri vendas. “Kemi rëndë dakord me drejtuesit që të nisim përgatitjet në datën 20 korrik. Ka qenë një hapësirë e gjatë me pushime pas përfundimit të sezonit të kaluar, por gjithçka ka qenë e kushtëzuar nga situata politike që kaluam.
Tashmë edhe Turbina do zbresë në fushë për përgatitjet e sezonit të ri, natyrisht me ndryshime nga sezoni i kaluar, por rëndësi ka që të fillojmë me përgatitjet”, deklaroi Sinan Bardhi. Për merkaton, tekniku thekson se në ndërtimin e skuadrës së re të këtij sezoni, me shumë do të mbështeten tek të rinjtë vendas.
“Deri tani, te Turbina e sezonit të kaluar nuk ka asnjë largim, por as edhe afrime të reja. Bazuar te kjo skuadër, ne kemi menduar që të afrojmë më shumë futbollistë vendas dhe me moshë të re, për të patur më shumë garanci gjatë garës, që këtë sezon do jetë shumë më ndryshe”.
AGRON KAJA