Elvis Sina, ish-mbrojtësi i Tiranës, i gëzohet faktit që titulli po rikthehet në kryeqytet. Për herë të fundit ka gëzuar Dinamo, ndërkohë që tanimë është radha e Partizanit. Të kuqtë janë një hap larg ngritjes së trofeut dhe mund ta bëjnë diçka të tillë që të dielën në derbi. I ftuar në emisionin “Kampionët” në Vizion Plus, Sina flet për shumë tema dhe mendon se Tirana ka gabuar që i është futur edhe Kupës.
TITULLI KAMPION – “Për mua e rëndësishme është që titulli po vjen në Tiranë, nuk ka rëndësi se kush po e merr Tirana apo Partizani. Këto javë në kampionatin shqiptar kanë pasur problematikat e veta, me tifozët apo presidentet, apo edhe elementet e vet pozitive. Shpresojmë që javët e mbetura të kalojnë mirë, të mos ketë problematika, pavarësisht se do ketë fjalë, ka tolerime aty, apo atje.”
TIRANA – “Matematikisht Tirana është në ujëra të rrezikshme. Një fitore me Partizanin do ta qetësonte situatën, por të kuqtë duan titullin ndaj bardhebluve dhe e arrijnë nëse fitojnë në derbi. Gjithçka varet edhe nga ndeshja e Kukësit. Nëse Kukësi humbet në Gjirokastër, ndikon edhe tek ndeshja derbi”.
KRIZA BARDHEBLU – “Ka kaq vite që Tirana është në ujëra të turbullta. Arsyet i dinë drejtuesit. Shpresoj shumë që ta kalojë shumë shpejt këtë situatë, pasi atij klubi me histori nuk i takon të jetë në nivele të tilla për të rënë nga kategoria. Besoj se ka mungesë koordinimi për punët në klub, apo është mungesë e një plani pune për skuadrën. Kjo është padiskutim e gjitha e lidhur me aspektin financiar. Kur je i tkurrur në aspektin financiar, nuk merr dot edhe lojtar lider. Sot Tirana nuk ka lider për ta nxjerrë nga situata”.
KUPA – “Gabimi që ka bërë Tirana, është që u mor me kupën. Bardheblutë nuk ishin në gjendje të merreshin me të dyja. Nuk do ishte në këtë gjendje nëse do merrej vetëm më kampionatin. Shpresoj shumë që të fitoje derbin, që të mos rrezikojë rënien një kategori më poshtë. Partizani e ka mbyllur titullin. Këtë jave luhet vetëm për skuadrat që bien nga kategoria dhe ato që shkojnë në Europa League. Mendoj se Laçi është më afër Europës”.